Ndërlidhjet

Obama pret presidentin kinez


Presidenti amerikan, Barak Obama, ka pritur homologun kinez, Hu Xhinato, në atë që cilësohet si vizita më e rëndësishme e një udhëheqësi të Kinës në 30 vjetët e fundit në SHBA.

Në fjalën e tij, Obama tha se të dyja vendet "kanë interes të madh në suksesin e njëri-tjetrit", dhe se kjo vizitë do t'i "vërë themelet për 30 vjetët e ardhshëm".

Obama theksoi rëndësinë e të drejtave të njeriut, duke thënë se vendet përparojnë "kur të drejtat e njeriut" respektohen.

"Historia tregon se shoqëritë janë më të harmonishme, vendet janë më të suksesshme dhe bota është më e drejtë, kur të drejtat dhe përgjegjësitë e të gjitha kombeve dhe të të gjithë njerëzve janë në fuqi, duke përfshirë të drejtat universale të çdo qenieje njerëzore", tha Obama.

Hu përshëndeti atë që ai e quajti "përparim të ri" në marrëdhëniet e Kinës me Shtetet e Bashkuara, por tha se të dyja vendet duhet t'i respektojnë interesat e njëri-tjetrit dhe rrugët e zhvillimit.

"Unë kam ardhur në Shtetet e Bashkuara për të rritur besimin e ndërsjellë, për të forcuar miqësinë dhe për të thelluar marrëdhëniet gjithëpërfshirëse ndërmjet Kinës dhe SHBA-ve në shekullin 21", ka thënë presidenti kinez.

Obama dhe zëvendëspresidenti Xho Bajden do të takojnë Hunë në Zyrën Ovale.

Presidenti amerikan gjithashtu do të organizojë një takim me Hunë, udhëheqësit kinezë të biznesit dhe me 14 shefat kryesorë amerikanë.
XS
SM
MD
LG