Ndërlidhjet

PE kërkon shpërbërjen e strukturave paralele


Parlamenti Evropian
Parlamenti Evropian
Parlamenti Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që "pa vonesë" të fillojë dialogun me Kosovën.

Në rezolutën e miratuar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me Serbinë, ligjvënësit evropianë e mirëpresin gatishmërinë e Beogradit për t'u angazhuar në dialog brenda kornizës së BE-së, duke nënvizuar se dialogu është i nevojshëm për stabilitetin afatgjatë dhe mirëqenien e njerëzve.

Rezoluta e fton Serbinë që të hyjë në dialog me Kosovën pa përmendur më "negociatat e reja për statusin e saj", si dhe shpreh bindjen se qasja "hap pas hapi" mund të vihet për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Rezoluta nënvizon se, "që dialogu të jetë i suksesshëm, do të kërkojë përkushtim dhe gatishmëri për kompromis nga të dyja palët në dritën e të ardhmes së tyre të përbashkët evropiane".

Rezoluta e mirëpret përmirësimin e bashkëpunimit me EULEX-in, por e thekson nevojën për "përpjekje shtesë lidhur me shkëmbimin e informatave, si dhe u bën thirrje autoriteteve të Serbisë që ta lehtësojnë bashkëpunimin e EULEX-it me serbët e Kosovës, në përpjekjet e tij për të zbatuar sundimin e ligjit në veri të Kosovës".

Strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës duhet të shpërbëhen, meqë e minojnë procesin e decentralizimit dhe e parandalojnë integrimin e plotë të komunitetit serb në institucionet e Kosovës, thuhet në rezolutë, dhe i bëhet thirrje Serbisë për qasje konstruktive lidhur me funksionimin e institucioneve lokale në komunat me shumicë serbe.

Në rezolutë, Beogradi gjithashtu ftohet për bashkëpunim të plotë me Tribunalin e Hagës, si "parakusht themelor për progresin e Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE".

Parlamenti Evropian ka miratuar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Serbinë me 612 vota për dhe 38 kundër.(v.p.)
XS
SM
MD
LG