Ndërlidhjet

Pezullohet suspendimi për komandantin e Zveçanit


Është pezulluar masa e suspendimit ndaj komandanit të policisë në Zveçan, Nenad Gjuriq, i cili qe suspenduar me urdhër të drejtorit të përgjithshëm, për shkak të mosrespektimit të urdhrave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, i tha Radios Evropa e Lirë se nga nesër, komandanti Gjuriq do të kthehet në detyrë.

“Drejtori i përgjithshëm e ka pezulluar suspendimin ndaj komandantit Gjuriq dhe ai nesër kthehet në detyrë. Por, kjo nuk nënkupton se janë pezulluar hetimet ndaj tij. Inspektorati i Policisë tashmë e ka lëndën dhe do të vazhdojë të hetojë nëse Gjuriq ka shkelur urdhrat ligjore”, është shprehur Hoti.

Gjuriq është suspenduar pasi që ka refuzuar të respektojë urdhrin e ministrit në dorëheqje të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, për të konfiskuar tabelat e reja të lëshuara nga Serbia, e të cilat mbajnë inicalet e shtatë rajoneve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG