Ndërlidhjet

Shqetësime për të drejtat e njeriut


Protestat pranë Shtëpisë së Bardhë.
Protestat pranë Shtëpisë së Bardhë.
Duke arritur në Uashington për atë që konsiderohet si samiti më i rëndësishëm SHBA-Kinë në disa dekada, presideneti kinez, Hu Xhinato, u prit me tepiha të kuq, me të shtëna armësh dhe me një drekë luksoze.

Por, një pritje krejtësisht ndryshe iu bë nga qindra protestues që ishin tubuar në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë, derisa Hu takohej brenda me presidenetin Barak Obama.

“Turp për Kinën, turp për Kinën! Turp për Hu Xhintaon, turp për Hu Xhintaon”, brohorisnin protestuesit.

Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe homologu i tij kinez, Hu Xhintao, në Uashington.
Në agjendën e dy liderëve ishin një sërë çështjesh, përfshirë politikat ekonomike të Pekinit, organizimin ushtarak të krizës në Korenë e Veriut si dhe kërcënimet e ndryshimeve klimatike.

Në mesin e çështjeve madhore, disa aktivistë kishin frikë se të drejtat e njeriut do të liheshin nën hije.

Kina së fundmi ishte karakterizuar si vend “jo i lirë” nga Freedom House, ashtu siç ishte përcaktuar që kur organizata ka filluar vlerësimet në fillim të viteve ’70. Dhe, të dhënat për lirinë e shtypit, për lirinë e të shprehurit dhe të drejtat fetare tregojnë pak shenja përmirësimi.

Presidenti Obama theksoi rëndësinë e të drejtave të njeriut gjatë ceremonisë mikpritëse për Hunë.

“Historia tregon se shoqëritë janë më të harmonishme, vendet janë më të suksesshme dhe bota është më e drejtë, kur të drejtat dhe përgjegjësitë e të gjitha kombeve dhe të të gjithë njerëzve janë në fuqi, duke përfshirë të drejtat universale të çdo qenieje njerëzore", tha Obama.

Synim i aktivistëve ishte të nxjerrin në pah mosrespektimin e të drejtave të njeriut nga Pekini dhe t’i bëjnë thirrje Obamës që t’u japë prioritet atyre në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Kongresmeni Kris Smith tha se vizita e Husë duhet të jetë një “ndryshim kursi” në rrugën se si Shtetet e Bashkuara i trajtojnë shqetësimet për të drejtat e njeriut.

Ai tha se rasti i Liu Ksiabos, disidentit të burgosur kinez, i cili në mungesë u nderua me Çmimin Nobel për Paqe, tregon për sundimin e vrazhdë në Pekin.

“Kur ju keni një njeri, i cili jo vetëm që nuk lejon Liu Ksiabon të udhëtojë për të marrë Çmimin e tij Nobel, por ndalon dhe gruan e miqtë e tij të shkojnë në Oslo në ceremoninë e çmimeve – kjo paraqet frikë, do të thosha paranojë dhe ligësi të kësaj diktature”, tha Smith.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe Rebia Kader, avokate e njohur në ekzil për të drejtat e ujgurëve - një pakice myslimane, e cila jeton në provincën Xhinjang, në veriperëndim të Kinës.

Kader tha se është koha e duhur që Obama të bëjë ndryshime.

Rebia Kader, avokate në ekzil për të drejtat e ujgurëve.
Në këtë kohë, të gjithë sytë në Kinë janë të përqednruar te samiti ndërmjet presidentit amerikan, Barak Obama, dhe atij kinez, Hu Xhintao, sepse miliona njerëz atje besojnë se Obama mund të bëjë ndryshime të mëdha, duke folur për çështjen e të drejtave të njeriut – nëse këto janë të drejta të ujgurëve, tibetianëve apo edhe të popullit kinez, që po vuajnë sundimin e qeverisë autoritare".

"Ne të gjithë besojmë se presidenti Obama nuk do t’i zhgënjejë shpresat dhe ëndrrat e miliona njerëzve që po vujanë nën sundimin kinez”,
tha Kader, e cila më vonë iu bashkua qindra protestuesve para Shtëpisë së Bardhë.

Tenzin Dolkar, nga grupi i studentëve për Tibetin e Lirë, me seli në Nju Jork, ishte gjithashtu në mesin e protestuesve.

“Presidenti kinez, Hu Xhintao, ka tentuar, por nuk ka arritur të bindë botën se Kina është e hapur dhe demoktratike. Sundimi i tij i dhunshëm në Tibet dhe abuzimet e kryera kundër popullit të tij, në fakt tregojnë se Kina mbetet e pandryshuar, shtypëse dhe autoritare”, tha Dolkar.

Në shkurtin e kaluar, presidenti Obama priti udhëheqësin shpirtëror të Tibetit, Dalai Lama, një veprim ky që ka tërbuar Pekinin, i cili e konsideron atë si përfaqësues të një lëvizjeje ilegale separatiste.

Me presidentin Hu pranë tij, Obama tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin dialogun ndërmjet Kinës dhe përfaqësuesve të Dalai Lames dhe dëshirojnë që Kina t’i respektojë të drejtat fetare të tibetianëve.

Por, ata mund të kenë dëgjuar edhe jehonën e protestave në distancë:

“Hu Xhinato gënjen, njerëzit vdesin, Kina gënjen, njerëzit vdesin”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG