Ndërlidhjet

Eshton: Marti t'i sjellë akuzat para EULEX-it


Kethrin Eshton
Kethrin Eshton
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, tha se nuk ka nevojë për prokurorë shtesë, sepse misioni i EULEX-it tashmë ka prokurorë të pavarur që punojnë në rajon.

Eshton i bëri këto komente pas kërkesës së organizatës Human Rights Watch që BE-ja të emërojë një prokuror të pavarur në Kosovë, për t'i hetuar pretendimet në akuzat e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti.

Eshton tha se do të duheshin më shumë prova nga Marti përpara se të ndërmerren hetime të reja.

"Çdo prokuror duhet t'i bazojë hetimet e veta mbi dëshmitë që parashtrohen në gjykatë. Nëse vërtet z. Marti, apo cilido tjetër, ka gjetur prova thelbësore për aktivitete kriminale, ne do ta inkurajonim atë që t'i sjellë përpara autoriteteve përkatëse, përfshirë EULEX-in", tha Eshton.


HRW: Prokuror të pavarur për akuzat e Martit

Misioni Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë duhet të emërojë një ekip të prokurorëve të pavarur të profilit të lartë për të hetuar akuzat për krime të kryera nga disa ish-drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka kërkuar organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch.

Akuzat, të cilat dolën nga raporti i fundit i përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, sipas përfaqësuesve të kësaj organizate, mund të zbardhen përmes një hetimi të thellë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës.

Hulumtuesja për Ballkanin Perëndimor në Human Rights Watch, Vanda Troshçinska – van Ganderen, i tha Radios Evropa e Lirë se ekipi i prokurorëve ndërkombëtarë, të cilët duhej të emëroheshin nga EULEX-i, duhet të fillojë punën sa më parë.

Van Genderen theksoi rëndësinë që hetimet të mbesin larg ndikimit të politikës dhe të mos ndërlidhen me statusin e Kosovës.

“Mendoj se çelësi është që të pajiset ky ekip në mënyrë adekuate, në mënyrë që të ketë mjaft njerëz që do të merreshin si duhet me këto gjëra. Por, dy gjërat më të rëndësishme janë: vullneti politik - mbështetja e BE-së dhe e SHBA-së që hetimi të bëhet në mënyrë të duhur dhe të shmanget politizimi apo ndërlidhja e çështjes me statusin e Kosovës”.

“Në anën tjetër, është mbrojtja e dëshmitarëve që ka qenë pengesë për të sjellë drejtësi lidhur me krimet e luftës dhe për të sjellë drejtësi për të gjitha viktimat që kanë vuajtur në Kosovë para dhe pas luftës”
, u shpreh Van Genderen.

Raporti i zviceranit Marti akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, ta ketë udhëhequr një grup të ish-ushtarëve të UÇK-së në trafikimin me organe njerëzore, armë dhe drogë.

Hetimet e informatave për të ashtuquajturën "Shtëpi e Verdhë", dolën pa ndonjë rezultat.

Raporti përmend dhe “Shtëpinë e Verdhë”, e cila së pari u apostrofua në librin e ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte. Ky tribunal dhe më vonë misioni EULEX kishin hetuar informatat që ndërlidhen me këtë shtëpi - por pa ndonjë rezultat.

Kryeministri kosovar në dorëheqje, Thaçi, përmes një letre dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, kërkoi nisjen e hetimeve që, sipas letrës, duhet të udhëhiqen nga EULEX-i.

Presidenti serb, Boris Tadiq, ndërkaq, tha se qëndrimi, sipas të cilit populli serb është paraqitur si fajtori i vetëm për krimet në vendet e ish-Jugosllavisë, ka “rënë në ujë” pas raportit të Martit.

Drejtorja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, kritikoi qasjen e deritashme të autoriteteve serbe.

“Nuk jam e kënaqur me sjelljen e autoriteteve serbe, sepse e shohin raportin e Dik Martit si një fitore. Sipas mendimit tim, nuk ka fitore - kemi të bëjmë me çështje të të drejtave të njeriut dhe kemi viktima. Tani është koha të mbështeten hetimet e pavarura - pa përfshirjen e politikës”, tha Kandiq.

Pavarësi ndaj politikës, sipas hulumtueses së Human Rights Watch, Van Genderen, duhet të ketë dhe ekipi që do t’i hetojë akuzat e Martiti. Ajo thekson se përveç mënjanimit të kërcënimeve ndaj dëshmitarëve, do të jetë e nevojshme që puna e prokurorëve të pavarur që do të punonin nën ombrellën e EULEX-it, të mos bazohet në rajon.

“Vitet e kaluara kanë treguar se është shumë e vështirë që njerëzit në terren të punojnë vazhdimisht në mënyrë të pavarur, të sigurt dhe të mos jenë subjekt i ndonjë lloj presioni. Pra, do të donim që ata ta kenë bazën jashtë Kosovës”, potencoi Van Genderen. (e.p.)
XS
SM
MD
LG