Ndërlidhjet

Mbrojtja me Ligjin e punës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Përfaqësues të shoqatave të gazetarëve në Kosovë kërkuan nga të gjitha kompanitë mediale në vend që ta zbatojnë Ligjin e Punës. Sipas tyre, shumica e gazetarëve kosovarë punojnë pa kontrata pune, duke iu shkelur në këtë mënyrë të drejtat elementare të tyre.


Zbatimi i Ligjit të Punës, në radhë të parë duhet të fillojë nga kompanitë mediale, pasi në këtë sektor ka shkelje të rënda të të drejtave të gazetarëve, u vlerësua në një debat të organizuar nga Unioni i Gazetarëve të Kosovës(UGK), me temën “Ligji i punës dhe mediat në Kosovë”,

Gëzim Qerimi, nga UGK-ja, tha se shumica e gazetarëve kosovarë dhe punonjësit e mediave punojnë pa kontrata pune, apo, siç u shpreh ai, në mënyrë jo ligjore. Sipas Qerimit, ky treg i zi i punës në vendin tonë ka marrë përmasa të një dukurie të rrezikshme.

Kjo dukurie negative ku gazetarët punojnë pa kontrata pune dhe pa të drejta elementare, çdo vit ka marrë hov dhe sot një gjë e tillë është shndërruar në një dukuri të zakonshme ‘ilegale’. Por, kjo dukuri e keqe po e lëkund çdo ditë e më tepër integritetin dhe qëndrueshmërinë e lirisë së fjalës dhe të mediave në Kosovë. Për ta tejkaluar këtë situatë, Unioni i Gazetarëve të Kosovës, do të hartojë një dokument konkret, që ka të bëjë me të drejtat e punëdhënësit dhe punëtorit”.

“Kjo iniciativë e UGK-së, e para e këtij lloji, hap një kapitull të ri, një marrëdhënie të re të institucioneve ndërmjet punëdhënësit dhe të punësuarve në tregun mediatik të Kosovës. UGK-ja në vazhdimësi do t’i rrisë kërkesat për mbylljen e kësaj epoke të joformalitetit në media”
, tha Qerimi.

Edhe përfaqësues të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës kërkuan nga kompanitë mediale që ta zbatojnë Ligjin e Punës. Drilon Zogaj, nga ky Asociacion, thotë se në vargun e të gjitha sfidave, me të cilat po ballafaqohet profesioni i gazetarit, mungesa e kontratave të punës po e dëmton edhe më tepër këtë profesion.

“Kjo gjendje po e shndërron gazetarinë në një profesion tejet të vështirë, deri në nivelet e profesionit të padëshirueshëm apo profesionit të zorit”,
theksoi Zogaj.

Lidhur me këtë, Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, theksoi nevojën e formimit të organizatave sindikale në të gjitha kompanitë mediale në Kosovë.

“Aty nuk ka kontrata të punës, nuk ka orar në punë, nuk ka mbrojtje në punë, nuk ka mbrojtje shëndetësore. Nuk kemi asnjë element... Tani duhet vepruar dhe jo hezituar. Dhe, besoni se ne, BSPK-ja do të jemi gjithmonë monitorues aty ku ka nevojë, do të jemi krah i djathtë i inspektoratit”
, tha Haxhiu.

Inspektorati i Punës do të monitorojë në vazhdimësi zbatimin e Ligjit të punës, tha Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Edhe pse ende asnjë kompani mediale nuk është vizituar nga ky organ, Ibrahimi tha se mbikëqyrja e zbatimit të këtij ligji në mediat e shkruara dhe ato elektronike nuk do të anashkalohen.

“Nuk kemi filluar ende në media. Sigurisht që mediat do të jenë një prej atyre që do të inspektohen më së shumti, duke marrë parasysh edhe rolin dhe rëndësinë që kanë mediat edhe në opinionin e përgjithshëm shoqëror, por edhe për çështjen e Ligjit”,
sqaroi Ibrahimi.

Ndryshe, Ligji i punës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në muajin nëntor të vitit të kaluar, ndërsa zbatimi i tij ka filluar që nga 1 janari i këtij viti.
XS
SM
MD
LG