Ndërlidhjet

Veriu i “rrezikshëm” e i paintegruar


Mitrovicë (Foto arkivi)

Mitrovicë (Foto arkivi)

Parlamenti Evropian kërkoi shpërbërjen e strukturave paralele, në kohën kur EULEX-i rriti masat e sigurisë, duke iu dhënë udhëzime shtesë pjesëtarëve të saj në veriun e Kosovës. Veriu mbetet i paintegruar, ndërsa së fundi janë sulmuar fizikisht disa pjesëtarë ndërkombëtarë të EULEX-it. Koordinatori i ekipit për veriun, Ylber Hysa, kritikon misionet ndërkombëtare se kanë koklavitur vetë integrimin e veriut.


Thirrja e Parlamentit Evropian për shpërbërjen e strukturave paralele në veriun e Kosovës, vjen në kohën kur misionit evropian për sundimin e ligjit iu sulmuan fizikisht disa pjesëtarë të tij në veri.

Kjo edhe ka bërë që EULEX-i t’i rrisë masat e sigurisë në planin, që disa e kanë quajtur shpallja e veriut si zonë e rrezikshme. Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, i quan masat si raport rutinor.
Në këtë rast, ky është vetëm edhe një raport për stafin e EULEX-it.


“Të gjitha misionet ndërkombëtare kanë rregullat e sigurisë, që rishikohen vazhdimisht, varësisht nga situata e sigurisë, si dhe ndryshimet për sigurinë u raportohen anëtarëve të misionit. Në këtë rast, ky është vetëm edhe një raport për stafin e EULEX-it. Ajo që i është thënë stafit, është se i janë rikujtuar rregullat e sigurisë, të cilave duhet t’iu përmbahen, si dhe i janë kujtuar incidentet e fundit që kanë ndodhur në veri të Kosovës”
, thotë Krasniqi.

Serbët kundërshtojnë masat, duke thënë se ato krijojnë një pasqyrë negative për veriun e Mitrovicës. Sekretari shtetëror i Ministrisë për Kosovën, Oliver Ivanoviq, e quan të nxituar vendimin e EULEX-it.
Jam i brengosur për vendimin e EULEX-it, sepse i jepet një pasqyrë negative veriut.

“Jam i brengosur për vendimin e EULEX-it, sepse i jepet një pasqyrë negative veriut. Mendoj se EULEX-i në vend të kësaj, është dashur të marrë masa ndaj personave që kanë cenuar sigurinë e pjesëtarëve të EULEX-it. EULEX-i dhe sundimi i ligjit në veri u duhet më së tepërmi serbëve”,
shprehet Ivanoviq.

Por, janë strukturat paralele serbe ato, që, sipas shumë vlerësimeve, e mbajnë të tensionuar pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Prishtina nuk ka arritur të shtrijë kontrollin atje, ndryshe nga misionet ndërkombëtare që të paktën kanë një prani edhe në veri. Por, as UNMIK-u, as ICO-ja, që vitin e kaluar përpiloi një plan për integrimin e veriut, e as EULEX-i, nuk kanë arritur t’i shpërbëjnë strukturat paralele të financuara nga Beogradi.

Koordinatori i Qeverisë për integrimin e Mitrovicës, Ylber Hysa, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problemi që daton nga viti 1999, i ka rrënjët te paqartësitë juridike të vetë misioneve ndërkombëtare.

“Kjo është një pyetje shumë e vjetër, që zgjat nga viti 1999, dhe siç po e shihni, është aktuale edhe pas vitit 2008, pas shpalljes së pavarësisë dhe për këtë, pengesë së pari ka qenë 12 44-shi, më vonë është statusi neutral, të cilin e ka EULEX-i dhe 6-pikëshi”.

“Këto janë të gjitha dokumentet ndërkombëtare, të cilat praninë ndërkombëtare në veri, lëre që e kanë koklavitur,por shpeshherë kjo paqartësi ka bërë që ata të mos i lejojnë të bashkëpunojnë mes vete, që shpesh interesat e ndryshme nacionale t’i konfrontojnë me interesat super-nacionale. Në këtë aspekt, nuk është një punë e lehtë për t’i bashkërenditur të gjitha këto limitime për të arritur një qëllim dhe objektiv siç është integrimi”
, deklaron Hysa.

Misioni evropian për sundimin e ligjit e sheh si hap para shtimin e patrullimeve të policisë në veri, ndërkohë që gjykatat në atë pjesë ende nuk funksionojnë plotësisht. Ndërsa, thotë se nuk i njeh strukturat paralele, misioni evropian nuk përjashton mundësinë se mund të ketë takime me pjesëtarë të këtyre strukturave.

“EULEX-i ka thënë shumë herë se takohet me liderët e komuniteteve, por nëse ata rastisin të jenë anëtarë të të ashtuquajturave struktura paralele, nuk do të thotë se EULEX-i i njeh strukturat paralele”, thekson Krasniqi.

Tensionet në veriun e Kosovës kanë qenë pothuaj gjatë gjithë kohës të pranishme, por në muajt e fundit, ato janë përcjellë edhe me vrasje, plagosje, shpërthime dhe incidente tjera, që cak kishin pjesëtarët e komunitetit joserb, apo serbët që punojnë në institucione të Kosovës, por edhe praninë ndërkombëtare.

Lexoni edhe këto:
Vendimi për targat tensionon veriun
PE kërkon shpërbërjen e strukturave paralele
XS
SM
MD
LG