Ndërlidhjet

logo-print

Figura themelore e historisë së re


Ibrahim Rugova duke shtrënguar duart me Riçard Hollbrukun dhe Brajan Donellin, 10 tetor, 1998.

Ibrahim Rugova duke shtrënguar duart me Riçard Hollbrukun dhe Brajan Donellin, 10 tetor, 1998.

Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, mbetet një nga figurat më të respektuara, që ka organizuar lëvizjen politike më të madhe shqiptare në Kosovë dhe ishte angazhuar për një projekt politik fisnik.

Kështu e vlerësojnë figurën e Rugovës disa prej bashkëpunëtorëve të tij dhe bashkëthemelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Profesor Sabri Hamiti, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, vlerëson se me veprimtarinë e tij, presidenti Rugova është bërë figura themelore politike në historinë e re të Kosovës.

“Është provuar dhe është e sigurt që është figura themelore, figura më e rëndësishme politike në historinë e re të Kosovës, për shkak se ka organizuar lëvizjen politike, demokratike, më të madhe të shqiptarëve, të cilën lëvizje e ka kthyer në kërkesat dhe artikulimin e vullnetit historik të shqiptarëve për liri dhe pavarësi të Kosovës".


Ibrahim Rugova
"Këtë vullnet, përmes lëvizjes së vet, ka arritur ta bëjë vendim institucional. Për ta përmbyllur, Rugova ka projektuar, i ka prirë idesë dhe e ka realizuar pavarësinë e Kosovës në mënyrë institucionale”,
thotë Hamiti.

Milazim Krasniqi, po ashtu bashkëpunëtor i presidentit Rugova dhe bashkëthemelues i LDK-së, thotë se presidenti i ndjerë i Kosovës ka qenë njeriu, i cili ishte angazhuar për vlerat më të larta të botës demokratike.

“Ajo që tashmë mund të thuhet në planin historik, është se Ibrahim Rugova është angazhuar për një projekt politik fisnik, i cili konsistonte në zgjidhjen paqësore të çështjes së Kosovës, si dhe për një tolerancë të dukshme në raport me kundërshtarët politikë, por edhe me grupet etnike në përgjithësi".

"Kjo është njëra nga vlerat dhe standardet më të larta edhe të ditës së sotme demokratike”,
thotë Krasniqi.

Megjithkëtë, të dy këta themelues të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pesë vjet pas vdekjes së presidentit Rugova, kanë mendime të ndryshme lidhur me atë që tash njihet si "trashëgimi dhe filozofi rugoviane".

Krasniqi vlerëson se kjo trashëgimi tashmë është e pretenduar nga disa subjekte politike.

“Në planin politik, sot jetojmë me një trashëgimi që quhet rugoviane, e cila është parcializuar në tri subjekte të ndryshme politike që pretendojnë mbi atë trashëgimi. Por, shumë herë, pa e ditur saktësisht se cilat janë vlerat eventuale të asaj trashëgimie".

"Kjo, në njëfarë mënyre, flet edhe për këtë largim nga autenticiteti i saj”,
shprehet Krasniqi.

Por, Sabri Hamiti thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është e vetmja që ka qenë dhe ka mbetur parti e Ibrahim Rugovës.

“Unë shkurt po ju them se përtej LDK-së nuk ka LDK. Lidhja Demokratike (e Kosovës) ka qenë, është dhe do të mbetet parti e Ibrahim Rugovës, edhe si filozofi veprimi, edhe si strukturim, edhe si përgjegjësi para qytetarëve dhe përgjegjësi para historisë, edhe para programit fundamental të lëvizjes rugoviane".

"Problemi i grupacioneve, të cilat duan të identifikohen me atë filozofi, aq më mirë... Le të identifikohet kush të dojë, por, në kuptimin organizativ, ekziston një LDK dhe s’ka tjetër”,
thotë Hamiti.

Ndërkaq, Krasniqi vlerëson se 5 vjet pas vdekjes së presidentit Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është më ajo që ka qenë në kohën e udhëheqësit të saj.

Ceremonia e varrimit
“Mund të them se LDK-ja e sotme nuk është as ‘hija’ e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e ka drejtuar Ibrahim Rugova. Nuk është as në planin e fuqisë politike e as të mënyrës së komunikimit brendapartiak. Kjo parti, në njëfarë mënyre, ka hequr dorë prej historisë së vet, prej autenticitetit të vet".

"Është një parti e zakonshme që lufton për pushtet - shumë herë, me mjete joadekuate politike, të cilat nuk janë në raport me vetë frymën e Ibrahim Rugovës, i cili me të vërtetë është shquar për afrimin e njerëzve dhe për tolerancë”,
vlerëson Krasniqi.

Por, Hamiti thotë se LDK-ja po ringrihet pas tronditjes nga humbja e prijësit të saj, Ibrahim Rugova.

“Një parti e madhe, e jashtëzakonshme, e provuar historikisht me vlera të jashtëzakonshme kombëtare dhe demokratike... Ajo është tronditur normalisht në themele me shkuarjen e tij (Rugovës)".

"Tash po ristrukturohet edhe me brezin e të rinjve, për të kaluar në nivelin që ka pasur në kohën e tij, si dhe të besimit, mirëkuptimit, solidaritetit dhe të komunikimit politik me zgjedhësit”,
shprehet Hamiti.

Presidenti Rugova vdiq më 21 janar, 2006, pasi humbi betejën nga kanceri në mushkëri.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG