Ndërlidhjet

Bisedime bërthamore në Stamboll



Irani dhe fuqitë e mëdha e filluan raundin e ri të bisedimeve bërthamore në Stamboll mbi programin bërthamor të Teheranit.

Takimi buzë Bosforit pritet të jetë më i suksesshëm seç kanë qenë përpjekjet e mëparshme.

Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner tha se zyrtarët amerikanë shpresojnë të vendosin një “proces konstruktiv” për bisedime me Iranin.

“E dini, ka hapa të vegjël që bëhen. Ne nuk presim ndonjë kthesë të madhe, por duam të shohim të dalë një proces kon struktiv, i cili do t’a çojë Iranin të angazhohet me bashkësinë ndërkombëtare në një proces të besueshëm, dhe të përfshihet në adresimin e shqetësimeve të bashkësisë ndërkombëtare rreth programit të vet bërthamor”, tha Toner.

Delegacioni iranian, i prirë nga kryenegociatori Said Xhalili, takohet me të ashtuquajturin grup 5 + 1, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania. Grupi do të udhëhiqet nga kryediplomatja e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton.

Mikpritësi, Turqia, nuk do të jetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në bisedime.

Bisedimet e mëhershme në Gjenevë, të fundit që u mbajtën në fillim të dhjetorit dhe e kapërcyen ngecjen 14 mujore, nuk bënë shumë përparim drejt zgjidhjes së ngërçit të shkaktuar.

Negociatat në Stamboll raportohet se janë përgatitur për ta ringjallur idenë e shkëmbimit të uraniumit të pasuruar për karburant bërthamor.

Versioni i parë u dakordua në tetor të 2008-ës, por pak më pas dështoi.

Në maj të vitit 2010, Brazili dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje me Iranin në Teheran, por ajo u hodh poshtë nga Perëndimi.

Të enjten në Moskë, emisari iranian në Agjencinë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, Ali Asgar Soltanie, tha se Irani qëndron prapa këtij propozimi.

“Tash mund t’ju them se ne qëndrojmë prapa deklaratës së Teheranit, dhe jemi të gatshëm të zhvillojmë bisedime me Grupin e Vjenës për shkëmbimin e karburantit”, tha Soltanie.

Sipas marrëveshjes, Irani do të duhej të heqë dorë nga një sasi e uraniumit të pasuruar, dhe në këmbim, fuqitë botërore ta furmizojnë me karburant për reaktorin kërkimor mjekësor në Teheran.

Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov tha se heqja e sanksioneve “gjithashtu duhet të jetë në agjendën e bisedimeve”.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, u ka bërë thirrje fuqive botërore që t’i heqin sanksionet ndaj vendit të tij nëse duan të shohin progres në bisedimet.

Këtë javë, lideri iranian mbeti sfidues, duke thënë se Teherani “nuk do të tërhiqet asnjë pëllëmbë” nga programi bërthamor i tij.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka propozuar raund të ri sanksionesh, ndërsa vendet perëndimore druajnë se programi bërthamor i Iranit është drejtuar kah prodhimi i armëve bërthamore.

Republika Islamike e mohon këtë, duke ëmbëngulur se programi bërthamor është vetëm për qëllime paqësore. (v.p.)
XS
SM
MD
LG