Ndërlidhjet

Shtyhet konfirmimi i rastit “Medicus”


Afati i fundit për konfirmimin e aktakuzës lidhur me një rrjet të dyshuar për trafikim me organe të njerëzve, i njohur ndryshe si rasti “Medicus”, do të jetë 5 shkurti i këtij viti. Edhe pse ishte i parashikuar që sot të merret vesh për procedimin e mëtejmë të rastit, procedura thuhet se është shtyrë edhe për 15 ditë të tjera.

Zëdhënësja e komponetit të drejtësisë në EULEX, Kristina Herodes, i tha Radios Evropa e Lirë se shtyrja e afatit për konfirmimin e aktakuzës është bërë për shkak të ndërlikueshmërisë së rastit.

“Gjykatësit i duhen 15 ditë shtesë për të vendosur lidhur me rastin ‘Medicus’, sepse rasti konsiderohet të jetë kompleks dhe voluminoz, e që përfshin një numër e të të pandehurve”, njoftoi ajo.

Seanca dëgjimore për konfirmimin e aktakuzave të ngritura për shtatë shtetasit e Kosovës, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në aktivitete të ndryshme të trafikimit me organe, u mbajt më 6 janar.

Kohë më parë, në Stamboll u arrestua Jusuf Sonmez - një nga personat që dyshohet të jetë i përfshirë në rastin “Medicus”, mirëpo autoritetet turke ende nuk kanë vendosur për ekstradimin e tij eventual në Kosovë.
XS
SM
MD
LG