Ndërlidhjet

Beograd: 101 vjet burg për "Grupin e Gjilanit"


Departamenti për krime lufte i Gjykatës së Lartë në Beograd ka dënuar sot nëntë përfaqësuesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njohur si Grupi i Gjilanit, me gjithsej 101 vjet heqje lirie, për shkak të, siç thuhet, “vrasjeve dhe krimeve ndaj civilëve serbë dhe joshqiptarë” në rajonin e Gjilanit, në pjesën e dytë të vitit 1999.

Nëntë ish-pjesëtarët e këtij grupi janë akuzuar “për vrasjen e të paktën 80 civilëve, të cilët janë vrarë dhe torturuar deri në vdekje; për arrestimin e paligjshëm të 153 civilëve, 34 nga të cilët vazhdojnë të jenë të zhdukur”.

Gjykatësja Snezhana Nikolliq-Garotiq ka thënë se “fajësia e të dyshuarve është dëshmuar pa asnjë dyshim, në bazë të provave të ofruara”.

Prokuroria e Serbisë ka ngritur aktpadi kundër 17 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët akuzohen për vrasje, përdhunim dhe tortura të civilëve serbë.

Prokurorët pretendojnë se të dyshuarit kanë kryer mizori në qytetin e Gjilanit në Kosovën lindore, pas luftës së viteve 1998-1999.

Nëntë prej tyre u arrestuan në dhjetor në rajonin e Luginës së Preshevës, ndërsa tetë të tjerët janë akuzuar në mungesë.
XS
SM
MD
LG