Ndërlidhjet

Gashi: Legjitimitet i thyer


Krenar Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutin KIPRED

Krenar Gashi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutin KIPRED

Deputetët e Kuvendit të ardhshëm të Kosovës, do të shihen me dilemë nëse vërtet janë deputetë që përfaqësojnë vullnetin e popullit të Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit KIPRED, Krenar Gashi. Ai konsideron se për legjislaturën e ardhshme do të jetë, po ashtu, e vështirë që të bëjnë një reformë të mirëfilltë të sistemit zgjedhor.


RADIO EVROPA E LIRË
Procesi zgjedhor ende nuk ka përfunduar dhe si pasojë e kësaj, thuhet se mund të ketë shtyrje të formimit të qeverisë së ardhshme. Si i shihni ju zhvillimet e fundit politike?

KRENAR GASHI
Unë konsideroj që është e rëndësishme që të kemi një proces të rregullt zgjedhor, legjitim, i cili do të pranohej nga të gjitha partitë politike dhe do të shihej si legjitim nga qytetarët e Kosovës. Nuk ka fare rëndësi se sa do të zgjasë ky proces zgjedhor dhe sa do të kushtojë, për arsye se zgjedhjet janë fundamenti, baza e demokracisë dhe nuk guxojmë si shoqëri e re demokratike ta dëmtojmë demokracinë tonë që në bazë.

Andaj, i gjithë ky muhabet që tani po sillet nëpër qarqe të ndryshme rreth formulave të ndryshme të koalicioneve është i hershëm, për faktin se ende nuk e kemi përmbyllur kaptinën e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi kemi dëgjuar opsione të ndryshme për koalicione. Cila janë mundësitë më të mëdha që partitë, të cilat kanë fituar më shumë vota, të bëjnë koalicione?

KRENAR GASHI
Tani dihet se Partia Demokratike e Kosovës e kryeministrit Hashim Thaçi, ka dalë si partia me më së shumti vota. Edhe pas rivotimit në Mitrovicë, kjo gjë nuk duket se do të ndryshojë. Kësisoj, zoti Thaçi do të jetë mandatari i qeverisë së ardhshme dhe në koalicionin e tij, ai, përpos minoriteteve, të cilat është i obliguar me Kushtetutë që t’i ketë në koalicion, do të mundohet që të marrë një apo dy parti të tjera, në mënyrë që ta ketë një shumicë të fortë në Kuvendin e Kosovës.

Megjithatë, shumë shqetësues është fakti se procesi zgjedhor i 12 dhjetorit ka qenë një proces sistematikisht i manipuluar. Dhe, kësisoj deputetët e kuvendit të ardhshëm do të shihen me pikëpyetje dhe dilemë nëse me të vërtetë janë deputetë përfaqësues të popullit dhe vullnetit të popullit të Kosovës.

Pa marrë parasysh kompozicionin e parlamentit dhe kompozicionin e qeverisë, konsideroj që legjitimiteti i udhëheqësisë dhe institucioneve të Kosovës, do të jetë i thyer dhe me dyshime. Kosova do të duhej që pas adoptimit të një reforme zgjedhore, të shkojë edhe në një palë zgjedhje të tjera të parakohshme, në mënyrë që të ketë institucione legjitime.

Tash për tash i kemi tri opsione, të cilat ofrohen nga partia politike PDK-ja, si partia që ka marrë më së shumti vota. Natyrisht, ofron një opsion të rregullt, i cili me gjithë faktin që është i mundshëm, shumë të tjerë e vënë në pikëpyetje, për arsye se ne jemi në një situatë jo fort të rregullt dhe kemi kaluar në një proces zgjedhor të çrregullt.

Kësisoj, PDK-ja do të tentojë që ta ketë një shumicë në kuvend, në mënyrë që ta formojë qeverinë dhe që kjo qeveri të shkojë deri në fund të mandatit. Në anën tjetër, e kemi Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila propozon një koalicion gjithëpërfshirës, apo siç po e quajnë ata, një qeveri teknike. Unë konsideroj që ky nuk është një opsion vital për të vetmen arsye, se partia që ka fituar më së shumti vota, nuk ka nevojë dhe as leverdi që të hyjë në një matematik të këtillë të koalicionit qeverisës.

Ndërsa, opsioni i tretë, i cili rekomandohet nga një pjesë tjetër e spektrit politik, kryesisht nga partia Fryma e Re, është që të ketë një tryezë të rrumbullakët të spektrit politik në formë formale ose gjysmë formale, e cila do të jetë organi më i lartë - në një mënyrë, një organ mbiinstitucional.

Unë konsideroj se më e rëndësishme është që partitë politike të merren vesh se qeveria e ardhshme nuk do ta ketë mandatin e plotë dhe të merren vesh jo ndoshta për një datë të zgjedhjeve, po për një “tajming” se si do të duhej të zhvillohet procesi i reformës zgjedhore dhe, përafërsisht, se kur do të duhej të mbaheshin zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësues të partive politike kanë deklaruar se mungesa e reformave zgjedhore ka bërë që zgjedhjet të mos realizohen në mënyrë të duhur. Ju si mendoni?

KRENAR GASHI
Po, ky sistem zgjedhor që e kemi tani, ka qenë një sistem, i cili është dëshmuar se është funksional në kohën kur zgjedhjet në Kosovë janë organizuar nga bashkësia ndërkombëtare. Në momentin e parë kur ne po organizojmë vetë, për herë të parë, zgjedhje parlamentare, pamë se ky sistem nuk qenka i përshtatshëm për shoqërinë kosovare. Me fjalë të tjera, sistemi nuk është i keq, por sistemi është i keq për këtë shoqëri kosovare.

Tani duhet të mendojnë që këtë sistem ta reformojmë rrënjësisht, apo ta krijojmë një sistem të ri zgjedhor dhe secili imput në këtë sistem që kemi, do të jetë i mirëseardhur. Shembull konkret, Instituti KIPRED qysh në vitin 2004 ka rekomanduar që Kosova të mos jetë një zonë zgjedhore, po të ketë të paktën shtatë zona zgjedhore.

Me vetë ndarjen e Kosovës në shtatë zona zgjedhore, do të zvogëlohej mundësia e manipulimit të votës së lirë të qytetarëve. Nëse këtu, për shembull, ia shtojmë opsionin që votuesit, po e marr shembull, të mund të votojnë vetëm për një kandidat, e jo për pesë, atëherë zvogëlohet edhe me tutje mundësia e manipulimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa është e vështirë që të bëhen reformat në Ligjin për zgjedhjet?

KRENAR GASHI
Do të jetë pak e vështirë që legjislatura e ardhshme të bëjë një reformë të mirëfilltë të sistemit zgjedhor, për vetë faktin se legjislatura e ardhshme do të shihet me dyshim sa i përket legjitimitetit nga shumë banorë të Kosovës dhe disa parti politike në Kosovë. Kjo e bën procesin të vështirë.

Në anën tjetër, sa i përket çështjeve të teknike të miratimit të një ligji dhe të draftimit të një sistemi dhe kodit zgjedhor, aty nuk shoh ndonjë problem të veçantë. Mirëpo, paraprakisht konsideroj se shoqëria kosovare do të duhej të kishte një debat të hapur ku secili qytetar dhe secila pjesë e shoqërisë do të mund të jepte mendimet e saj për një sistem të mirëfilltë zgjedhor.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG