Ndërlidhjet

Qehaja: Në veri synohet destabilizimi


Ramadan Qehaja
Ramadan Qehaja

"Situata është shumë fragjile dhe ata (serbët e veriut) kanë për qëllim që para bisedimeve që do të pasojnë, të krijojnë një situatë shumë të ndërlikuar, të bëjnë një destabilizim", thotë për Radion Evropa e Lirë Ramadan Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Qehaja, autoritetet e rendit kanë thënë se në veri, ditëve të fundit, janë shtuar incidentet, pas një urdhri të Ministrisë së Brendshme të Kosovës për konfiskimin e auto-targave të lëshuara nga Serbia. Si e shihni ju situatën e sigurisë në atë pjesë të vendit?

RAMADAN QEHAJA

Kjo është e vërtetë, por fillimisht dua të them diçka tjetër... Ju po e shihni që në kohën e fundit kemi një krizë politike, krizë institucionale e ta quaj edhe krizë zgjedhore.


Qeveria në largim nuk ka qenë e përkushtuar dhe nuk ka munduar të jetë e përkushtuar aq sa do të duhej për veriun e Kosovës - së paku të tentojë të rikthejë disa elemente të rëndësishme, që kanë të bëjnë me çështjet politike dhe të sigurisë.

Kjo nuk ndodhi. Në këtë situatë politike dhe institucionale, në të cilën gjendemi, Beogradi zyrtar e ka marrë një ofensivë, ashtu ta quaj, vetëm e vetëm që ndarjen faktike atje ta bëjë edhe më te fuqishme, duke krijuar probleme të llojllojshme, incidente...

Do të përmendja për shembull rastin e vrasjes së qytetarit tonë të përkatësisë boshnjake, Shefko Sallkoviq, vetëm e vetëm se ai deshi të ndihmojë në zbatimin e zgjedhjeve parlamentare në atë pjesë të territorit tonë.

Në këtë mënyrë, strukturat paralele ilegale serbe e bënë të ditur se atje nuk mund te veprohet ndryshe, përveç siç thonë ata - pra strukturat ilegale serbe.

Ju e patë edhe rastin e policit, i cili konfiskoi një palë tabela dhe me pas iu dogj vetura personale.

Do të thotë, situata është shumë fragjile dhe ata kanë për qëllim që para bisedimeve që do të pasojnë, të krijojnë një situatë shumë të ndërlikuar, të bëjnë një destabilizim, që ne të mos kemi mundësi të kemi qasje atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë veprimesh do të duhej të ndërmerren në këtë kohë në veri të Kosovës?

RAMADAN QEHAJA
Ne atje e kemi një pjesë të Policisë së Kosovës, e përberë kryesisht prej policëve lokalë serbë, të cilët në shumicën e rasteve nuk i kanë kryer detyrat e parashtruara të rendit.

Ata më shumë kanë punuar për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, sesa që kanë punuar për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës.

Ky është një hendikep për ne dhe nuk mund të themi se kemi ndonjë polici, e cila atje vepron ashtu siç urdhërohet nga shtabi rajonal i Mitrovicës.

Në anën tjetër e kemi një EULEX, që përveç shtrirjes që e ka bërë për këto dy vjet e gjysmë atje, nuk ka ndërmarrë masa të duhura që situata e sigurisë të vijë sado-kudo në suaza të normales.

Në pyetjen se çka do të duhej të bëjmë ne, unë preferoj që të ulemi me EULEX-in dhe t’i themi: a doni të na ndihmoni pasi që keni ardhur këtu enkas për polici dhe për drejtësi, e atëherë ne duhet ta bëjmë një plotësim të EULEX-it me Policinë e Kosovës atje.

Të kemi një numër më të madh të policëve tanë atje dhe të fillojmë t’i kryejmë detyrat, duke nisur nga kapja e kriminelëve, kapja e atyre që bëjnë destabilizim të tërësishëm atje, duke vazhduar me ekonominë joformale, e cila atje po zhvillohet me të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka kohë që thuhet se strukturat paralele veprojnë pa u penguar në pjesën veriore. Si mendoni ju, cila do të ishte mënyra më e mirë për të ndaluar funksionimin e tyre?

RAMADAN QEHAJA
Kjo gjë tashmë është bërë çështje politike. Është paksa e vështirë t’i qasemi këtij problemi, sepse kaloi një kohë shumë e gjatë. Strukturat, që ju po u thoni paralele, unë do t’i quaja struktura ilegale.

Ne nuk mund ta tolerojmë policin e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, që atje i kryen detyrat për nevojat e Republikës së Serbisë. Do të thotë, duhet aty për aty të ballafaqohemi me ata persona, të cilët janë në Policinë e Republikës së Kosovës atje.

Duhet pyetur EULEX-in përse nuk ndërmerr masa. Ne do të kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që të na lejojë të shkojmë me policinë tonë dhe t’i kryejmë detyrat atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Për fund, si e shihni funksionimin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës?

RAMADAN QEHAJA
Unë mendoj se Agjencia Kosovare e Inteligjencës tani është në një fazë të hershme të fillimit të operacionalizimit. Është thënë se tash janë pranuar disa njerëz aty, disa dhjetëra njerëz, të cilët kanë marrë detyra konkrete, kanë dalë në terren... Bile është thënë se një numër i tyre, shumë i vogël, gjendet edhe në veri të Republikës sonë, do të thotë në veri të lumit Ibër - që është apo do të ishte shumë pozitive.

Mirëpo, unë jam skeptik në atë që kjo agjenci, me këtë zhvillim të deritanishëm, të mund të mbledhë informata relevante dhe t’u paraprijë rreziqeve që i kanosen Republikës së Kosovës.

Ju po e shihni që faktikisht po shkohet gjithnjë pas problemeve, pas incidenteve. Nuk ka paralajmërime - do të thotë, nuk kemi informata relevante.

Nëse ky shërbim inteligjent nuk i jep këto elemente relevante me kohë, ne nuk mund t’i parandalojmë gjërat që po na ndodhin atje. Pra, deri tash, nuk mund ta vlerësoj me një notë pozitive.
XS
SM
MD
LG