Ndërlidhjet

Bisedimet bërthamore përfundojnë pa marrëveshje


Kryediplomatja evropian, Kethrin Eshton, dhe kryenegociatori iranian, Saed Xhalili, në Stamboll.
Kryediplomatja evropian, Kethrin Eshton, dhe kryenegociatori iranian, Saed Xhalili, në Stamboll.
Bisedimet rreth programit bërthamor të Iranit kanë përfunduar me akuza të ndërsjella të palëve për mungesën e përparimit.

Shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton, tha se fuqitë botërore janë të zhgënjyera me negociatat dhe për këtë fajësoi Teheranin zyrtar.

“Ky nuk ishte përfundimi për të cilin shpresoja. Ne shpresonim të nisë një diskutim i mënyrave praktike, për të ecur përpara, dhe kemi bërë çdo përpjekje që kjo të ndodhte. Unë jam e zhgënjyer se kjo nuk ka qenë e mundur të ndodhë”, tha Eshton.

Megjithatë, kryediplomatja evropiane shtoi se dyert mbeten të hapura për Teheranin, për raunde të reja bisedimesh, duke thënë se “procesi mund të shkojë përpara nëse Irani zgjedh të përgjigjet pozitivisht”.

Eshton tha se parkushtet iraniane për çështjet bërthamore janë të papranueshme dhe se gjashtë fuqitë botërore mbesin të bashkuara në qëndrimin e tyre ndaj Teheranit.

Kryenegociatori iranian, Saed Xhalili, tha se e drejta e Iranit për pasurimin e uraniumit duhet të respektohet dhe se çdo marrëveshje e fuqive botërore duhet të bazohet mbi të. Ai gjithashtu e la të hapur mundëinë e takimeve të ardhshme.

Bisedimet në Stamboll kanë sjellë ballë për ballë delegacionin e Iranit, me në krye Saed Xhalilin, dhe përfaqësuesit e Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga kryediplomatja Eshton.

Irani ka refuzuar kategorikisht të diskutojë për kërkesën e Kombeve të Bashkuara, që i bën thirrje atij të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe aktivitetet e tjera bërthamore.

Teherani thotë se programi i tij është paqësor dhe se ka të drejtë të pasurojë uranium për reaktorët e tij.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre dyshojnë se Irani po bën përpjekje për zhvillimin e armës bërthamore. (v.t.)
XS
SM
MD
LG