Ndërlidhjet

DV: Fitore e PDK-së në Mitrovicë


Foto arkivi
Foto arkivi
Partia Demokratike e Kosovës është fituese në Mitrovicë pas rivotimit të djeshëm në të gjithë komunën. Fitorja e PDK-së është bërë publike në mesnatë nga rrjeti i organizatave joqeveritare "Demokracia në Veprim".

Sipas rezultateve paraprake të rrjetit "Demokracia në Veprim" PDK-ja ka fituar në Mitrovicë me 47.18% e ndjekur nga LDK-ja me 22.69%, në vendin e tretë është Lëvizja Vetvendosje me 11.55% e pasuar nga AAK-ja me 6.32% dhe FER-i me 6.04%.

Të njëjtat burime kanë bërë publike dhe rezultatet paraprake në shkallë vendi. Sipas DV-së PDK-ja ka fituar me 30.85%, LDK-ja ka 26.37%, Lëvizja Vetvendosje 13.30%, AAK-ja 10.51%, AKR-ja 8.2%, FER-i 2.63%, LDD-ja 2.20% derisa subjektet e tjera së bashku kanë 6.13%. Në këto rezultate nuk janë përfshirë votat me kusht.

****************

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka cilësuar të rregullt procesin e rivotimit në komunën e Mitrovicës.

Përsëritja e zgjedhjeve parlamentare në Mitrovicë bëhet pas evidentimit të parregullsive në raundin e parë më 12 dhjetor, 2010, ndërsa gjatë ditës votuesit potencialë patën mundësi ta hedhin votën e tyre në kutitë e vendosura në 31 qendra të votimit me 104 vendvotime.

Kutitë e votimit u mbyllën, siç ishte parashikuar, në orën 19:00, ndërsa brenda periudhës 14-orëshe thuhet se kanë votuar 23,238 votues apo 26.76% e numrit total të personave me të drejtë vote.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, shpjegoi:

Mendoj se ky proces ka qenë jashtëzakonisht i mirë dhe pa incidente, duke pasur parasysh se kemi pasur edhe pjesën veriore dhe nuk ka pasur incidente. Në përgjithësi, ka qenë një proces i rregullt”.

Daka tha se, në krahasim me raundin e parë që u mbajt në 12 dhjetor, ku patën votuar 37.10% e mitrovicasve, është shënuar një rënie në pjesëmarrje.

Mirëpo, partitë politike që garuan në rivotimin në Mitrovicë kanë shprehur shqetësimin e tyre për ecurinë e procesit zgjedhor.

Lëvizja “Vetëvendosje” bëri të ditur se gjatë procesit zgjedhor në Mitrovicë, vëzhguesit e saj janë kërcënuar nga ata të Partisë Demokratike të Kosovës. Mësohet se Policia e Kosovës është dashur të ndërhyjë për të verifikuar ankesën për kërcënim nga Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila thuhet se ka rezultuar e paqëndrueshme.

Sipas Lidhjes Demokratike e Kosovës, gjatë procesit zgjedhor është vërejtur manipulimi me fletëvotime.

Ndërkaq, rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, i cili vëzhgoi ecurinë e zgjedhjeve në Mitrovicë me rreth 130 vëzhgues statikë dhe 20 vëzhgues mobilë, raportoi për raste të votimit të dyfishtë, votimit të hapur dhe votimit familjar.

Driton Selmanaj, nga “Demokracia në Veprim”, njoftoi se gjatë ditës janë vërejtur 38 raste të asistimit të më shumë se një votuesi, 6 raste të votimit të dyfishtë, 2 raste të pranisë së personave të paautorizuar dhe 446 raste të votimit familjar.

Por, parregullsitë e evidentuara, që sipas tij janë bërë pjesë e kulturës zgjedhore në Kosovë, nuk mund ta prishin procesin në tërësi.

“Në përgjithësi ky proces, nga ana jonë, vlerësohet si proces i qetë, nuk ka ndonjë parregullsi shumë serioze. Megjithatë, nga të dhënat që na ofrojnë vëzhguesit tanë atje, janë disa parregullsi, të cilat pothuajse po i përcjellin të gjitha proceset zgjedhore në Kosovë, jo vetëm në qytetin e Mitrovicës. Siç duket, është bërë edhe pjesë e kulturës sonë zgjedhore”, tha ai.

Pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë që vëzhguan rivotimin në komunën e Mitrovicës ishin misioni vëzhgues i koordinuar nga Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, në përbërjen e të cilit ishin rreth 40 ekipe me pjesëtarë të kësaj zyre, ata të Zyrës Civile Ndërkombëtare, pjesëtarë të misioneve diplomatike në Kosovë, si dhe diplomatë nga vendet e tjera anëtare të BE-së dhe nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në pjesët e banuara me serbë të komunës së Mitrovicës thuhet është kujdesur Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Elektorale.

Mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në veri të Kosovës kishte hasur në kundërshtimin e banorëve serbë në veri, të cilët patën tentuar ta bllokojnë procesin e votimit më 12 dhjetor.

Zëdhënësi i policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, tha se nuk janë shënuar incidente të mëdha të dëmtimit apo kundërshtimit të procesit zgjedhor.

Ajo që është më e rëndësishme për aspektin e sigurisë, nuk është shënuar ndonjë incident. Policia e Kosovës ka kryer obligimet e saj; nuk ka pasur incidente madhore, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në prishjen apo lëkundjen e sigurisë në tërë rajonin e Mitrovicës", tha Hoti.
XS
SM
MD
LG