Ndërlidhjet

logo-print
Dialogu i paralajmëruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të adresojë tema në interes të bashkësisë serbe që jeton në Kosovë, thonë disa nga përfaqësuesit politikë të këtij komuniteti. Disa prej tyre besojnë se ka çështje, të cilat serbët mund t’i zgjidhin edhe përmes dialogut me institucionet e Prishtinës, pa pritur nisjen e bisedimeve me Serbinë.


Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës presin që dialogu i ardhshëm, i paralajmëruar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të adresojë para së gjithash tema në interes të komunitetit të tyre.

Çështja e arsimit, shëndetësisë, përdorimi i dokumenteve personale e deri te auto-targat dhe pensionet janë disa nga çështjet që serbët presin t’i zgjidhen gjatë këtij dialogu.

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, thotë se temat e bisedimeve duhet të përfshijnë fushat, të cilat janë në interes të komunitetit serb, e që kryesisht lidhen me nivelin e pushtetit lokal.

“Nisur nga pushteti lokal dhe problemet e përditshme, arsimi, shëndetësia, përdorimi i targave të veturave si dhe ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore e fetare - të gjitha këto janë tema me interes që duhen adresuar”, thotë Petroviq.

Ai pret që edhe veriu i Kosovës të jetë pjesë e bisedimeve, por në kuptimin e trajtimit të problemeve të grumbulluara me vite atje.

“Është fakt se një përqindje e madhe e serbëve që jeton në veri, nuk është e kënaqur me statusin e tyre”, thotë Petroviq.

Sipas tij, problemet atje janë grumbulluar me vite dhe ato duhen zgjidhur. Mirëpo, për suksesin e bisedimeve, ai pret që garantues të marrëveshjeve eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, njëri nga përfaqësuesit e serbëve te veriut, Marko Jakshiq, nga strukturat politike që bojkotojnë institucionet e Kosovës, thotë se qëllimi i parë i Serbisë në këto bisedime duhet të jetë pamundësimi i formimit të shtetit të dytë shqiptar në Ballkan.

Kurse, çështja më e rëndësishme për vetë serbët, sipas tij, është insistimi i Serbisë që të zhvendosurit të kthehen në Kosovë.

“Tema më e rëndësishme dhe themelore për serbët është që bashkëkombësit tanë të kthehen”, thotë Jakshiq.

Bashkë me ata që e lëshuan Kosovën, nënvizon ai, janë edhe kuadrot e shkolluara, kështu që kjo temë, sipas tij, duhet të trajtohet me prioritet të veçantë.

Një përfaqësues tjetër i serbëve, Rangjell Nojkiq, thotë se për këtë komunitet është me rëndësi që të trajtohen edhe temat e jetës së përditshme, si: liria e lëvizjes, çështja e auto-targave, e pensioneve e tema të tjera.

Por, për disa nga këto probleme, Nojkiq thotë se serbët nuk kanë nevojë të presin vetëm dialogun me Beogradin, pasi që mund të bisedojnë edhe vetë me institucionet në Prishtinë.

Ekzistojnë disa çështje, probleme, që mund të zgjidhen edhe jashtë dialogut Prishtinë – Beograd, përmes serbëve që tani përfaqësojnë bashkësinë e tyre në institucione dhe nuk ka nevojë të pritet vetëm dialogu me Beogradin”, thekson Nojkiq.

Për vetë procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, përfaqësuesit e serbëve vlerësojnë se ai mund të ketë sukses vetëm nëse ka vullnet nga të dyja palët që problemet e adresuara të zgjidhen. Ndërkaq, nëse politizohet çdo temë, ata dyshojnë se mund të arrihet ndonjë marrëveshje konkrete.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG