Ndërlidhjet

Musa: Kosova të zbatojë reciprocitetin


Lekë Musa
Lekë Musa
Kryesimi i CEFTA-s do të jetë i pavlerë, nëse ne nuk mund të arrijmë të ndryshojmë qasjen e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës kundrejt mallrave, të cilat vijnë nga Kosova, thotë për Radion Evropa e Lirë Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Musa, Kosova këtë vit e ka filluar pa buxhet të miratuar. A mendoni se kjo do të sjellë pasoja në të ardhmen?

LEKË MUSA
Mendoj se pasojat do të jenë gjatë këtij viti, në rast se nuk kemi një konstituim të organeve së shpejti - në rend të parë qeverinë dhe parlamentin, i cili duhet ta aprovojë buxhetin për vitin 2011.

Të gjithë e dimë se nuk është i aprovuar dhe tani jemi duke operuar me 1/12 e buxhetit. Mendoj se kjo situatë mund të vazhdojë për tre muaj, ashtu siç e parash Ligji mbi menaxhimin e financave publike.

Por, mund të hyhet në një krizë, sepse qeverisë se ardhshme i duhet pak kohë derisa të bëjë modifikimin e buxhetit, i cili do t’i përshtatet strategjisë së qeverisë së ardhshme.

Siç e dimë, qeveria e ardhshme do të jetë një qeveri e koalicionit dhe partitë që hyjnë në koalicion duhet të kenë një strategji, e kjo strategji kërkon që të hartohet një buxhet...

Për këtë nevojitet një kohë dhe nuk mund të bëhet aq shpejt, prandaj rrezikojmë që në muajin e katërt dhe në muajt në vijim të mbesim pa buxhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi, ka premtuar rritje të pagave për shumë kategori që paguhen nga buxheti. Kritikët thonë se këto premtime vështirë se mund të realizohen. Ju, si mendoni?

LEKË MUSA
Mendoj se nuk është çështja te mosrealizimi, pasi ai (kryeministri) është shumë i vendosur që t’i realizojë këto premtime dhe mendoj se pagat për muajin janar do të paguhen sipas këtyre premtimeve.

Çështja është te ndikimet afatgjate në zhvillimin ekonomik që do t’i kenë këto rritje. E kemi thënë disa herë se rritja e pagave në këtë normë është jashtë parashikimeve dhe planifikimeve afatgjata dhe nuk është menduar mirë se çfarë lloj implikimesh do të ketë në ekonominë e Kosovës.

Në rend të parë, bën shkelje të një marrëveshjeje me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila është arritur në vitin e kaluar. Së dyti, nuk është e bazuar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.

Kjo rritje është bërë kryesisht për qëllime parazgjedhore dhe pasojat e kësaj rritjeje do t’i vuajnë bizneset dhe sektori privat, i cili bën pagesën e tatimeve nga të cilat mblidhen këto të hyra.

Kështu që mendoj se ka qenë një nguti... Kemi dëgjuar prej institucioneve se burim i kësaj rritjeje është lufta kundër informalitetit, mirëpo ne gjithmonë kemi thënë: pse një luftë e tillë nuk është reflektuar në rritjen e të hyrave edhe në të kaluarën; pse tani është vendosur të luftohet ky informalitet?!

Megjithatë, ne bëmë thirrje që vërtet të luftohet ekonomia joligjore dhe të mos cenohen bizneset, të cilat bëjnë pagesën e tatimeve ashtu siç duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Mendoni se me vendimin për rritje pagash do të ketë numër më të madh të falimentimit të bizneseve?

LEKË MUSA
Me të vërtetë rrezikohet ambienti afarist në Kosovë. Bie atraktiviteti i Kosovës, sepse dy institucionet kryesore për mbledhjen e të hyrave - Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës - do të detyrohen t’i mbledhin këto të hyra për t’i paguar shpenzimet e parapara.

Në shumë raste, ato do të detyrohen që në mënyrë të padrejtë t’i dënojnë bizneset për t’i arritur planet e parapara nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

RADIO EEVROPA E LIRË
A ekziston rreziku se ky vendim mund t’i prishë raportet ndërmjet Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar?

LEKË MUSA
Unë, me sa e di, Qeveria e Kosovës tashmë është në negociata për të rinegociuar këtë marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar. I mbetet Qeverisë së Kosovës të bindë FMN-në se do të jetë në gjendje që t’i mbledhë këto të hyra.

Megjithatë, prapë e them se marrëveshja me FMN-në mund të arrihet, por duhet të shikohet edhe ajo që është më e rëndësishme - perspektiva afatgjate ekonomike e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova këtë vit duhet të marrë presidencën e CEFTA-s. Zyrtarë të qeverisë thonë se Kosova tashmë ka marrë kryesimin, por në praktikë nuk shihet asgjë konkrete. Çfar po ndodh sipas jush me këtë projekt rajonal?

LEKË MUSA
Kryesimi, si i tillë, është jashtëzakonisht me rëndësi, sepse e ngrit Kosovën në një nivel të barabartë me shtetet tjera anëtare të CEFTA-s.

Mirëpo, më e rëndësishme se kjo është trajtimi i barabartë sa u përket marrëdhënieve reciproke me vendet anëtare të CEFTA-s.

Dua të them se ky kryesim do të jetë i pavlerë, nëse ne nuk mund të arrijmë që të ndryshojmë qasjen e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës kundrejt mallrave, të cilat vijnë nga Kosova.

Shpresoj se me kryesim, do të ndryshojë kjo çështje nga ana e Serbisë dhe Bosnjës. Në të kundërtën, mendoj se Kosova nuk duhet të sillet si e nënshtruar, mirëpo duhet të fillojë t’i aplikojë masat e reciprocitetit në lidhje me produktet e veta.

Ky është vendi ku duhet treguar patriotizëm, duhet treguar patriotizëm në mbrojtje të ekonomisë vendore, në mbrojtje të vendeve të punës... Shpresoj se do të jetë në nivel të detyrës Qeveria e Kosovës sa i përket mbrojtjes së interesave ekonomike të Kosovës.
XS
SM
MD
LG