Ndërlidhjet

Ilaçe të skaduara për pacientët me HIV


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Viti 2010 në Kosovë është përmbyllur me tre raste të reja të të infektuarve me virusin HIV. Alban Gjonbalaj, drejtor i organizatës për personat që jetojnë me HIV në Kosovë, thotë se zyrtarisht janë të regjistruar 83 raste me HIV/AIDS që nga viti 1986.

“Që nga viti ’86, numri zyrtar është 83, por llogaritet që gjatë viteve gjysma e tyre të kenë vdekur. Ne në organizatën tonë kemi 17 persona të regjistruar tash për tash”, thotë ai.

Problemet me të cilat ballafaqohen këta persona janë nga më të ndryshmet. Sipas zotit Gjonbalaj, i cili është dhe vetë i prekur nga ky virus, terapia që përdorin pacientët muajt e fundit është me afat të skaduar.

“Problemi është se ne jemi duke përdorur terapi me afat të skaduar. Ajo ka skaduar në tetor të vitit 2010 dhe do të vazhdojë derisa të vijë kontingjenti i ri i barnave. Ne kemi bërë kërkesë, por ajo shkon përmes klinikës infektive. Gjithmonë ka vonesa në procedurat e prokurimit”, thotë ai.

Infektologia Emine Qehaja thotë se klinika infektive është aktualisht mirë e furnizuar me terapi për personat e prekur me HIV.

“Ministria e Shëndetësisë është ajo që e furnizon klinikën tonë me terapi. Terapia është me afat dhe nuk kam informacione që ajo është pa afat. Ne gjithmonë mundohemi të jemi të saktë në marrjen e terapisë, në mënyrë që të mos ndërpritet terapia te këta pacientë”, thotë Qehaja.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se buxheti i kësaj ministrie për barna është tejet i kufizuar. Andaj, ky institucion, sipas tij, ka aplikuar në Fondin Global, në mënyrë që të mbështetet financiarisht me shumën prej rreth 3 milionë eurosh, për trajtimin dhe parandalimin e HIV/AIDS-it.

“Ne kemi aplikuar në Fondin Global, në programin për luftën kundër AIDS-it. Kemi nënshkruar kontratën për programin e granteve, për të siguruar fonde financiare nga Fondi Global”, thotë Hoti.

Në anën tjetër, Skënder Syla, përfaqësues i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se Kosova karakterizohet me një shkallë të ulët të rasteve me HIV/AIDS dhe hyn në kategorinë e vendeve me përhapje të ulët.

Institucionet shëndetësore të Kosovës duhet t’i ndërmarrin të gjitha veprimet, në mënyrë që Kosova të ngelë me këtë nivel, pra me prevalencë të ulët, me një theks të veçantë në zhvillimin e kampanjave vetëdijesuese, që tashmë janë duke u bërë”, thekson Syla.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG