Ndërlidhjet

Zymtësia politike në Tiranë


Tiranë, 22 janar

Tiranë, 22 janar

Analistët e shohin shumë të zymtë atmosferën politike në vend, nisur nga zhvillimet që pasuan demonstratën e dhunshme opozitare të 21 janarit.

Për analistin Aleksandër Çipa, kjo gjë shihet qartë dhe në tonet e ashpra të retorikës politike, veshur me patetizëm nga të dyja palët.

“Kjo retorikë politike e dy protagonistëve kryesorë, përkatësisht kryetarit të opozitës dhe kryetarit të shumicës, zotit Berisha, është e bashkëshoqëruar me një arbitraritet institucional. Rasti i dhunimit të institucionit të Kryeministrisë nga demonstrata opozitare, është padyshim një e keqe që e ka rikthyer në periudhën më të zymtë, pse jo edhe më kruciale të ashtuquajturin tranzicion postkomunist shqiptar”.


“Ndërkohë që seanca e mbrëmshme e Parlamentit shqiptar, një seancë monokrome, është po kaq trishtuese, po kaq e zymtë për perspektivën politike të institucionalizmit shqiptar në ditët e sotme”,
thotë Çipa.

Sipas analistit Lutfi Dervishi, me gjithë përmasën që ka marrë situata, nuk i shërbehet përmirësimit të saj, nëse kërkohet me çdo mjet për të gjetur fajtor.

Sigurisht që ka faj për të gjithë, nëse perifrazoj një deklaratë të ambasadorit amerikan në Tiranë, por nuk është momenti për të vendosur peshoren e fajit, apo për të treguar gishtin e akuzës. Është momenti për qetësi, për kthjellim, për racionalitet dhe për kërkimin e zgjidhjeve ku palët të mos dalin në situata që ta ndiejnë veten të humbur dhe të mundur”, thekson Dervishi.

Në fundjavë, dy forcat politike do të përballen në shesh, opozita në një tjetër demonstratë që do të zhvillohet ditën e premte dhe mazhoranca ditën e shtunë, në një manifestim qytetar për paqen, siç dhe e ka cilësuar.

Ndonëse e quan aspak të nevojshme thirrjen e qytetarëve në shesh, pas asaj që ndodhi më 21 janar, analisti Lutfi Dervishi thotë se fundjava do të vërë seriozisht në provë dy formacionet e mëdha politike.

“Fundjava do të vërë në provë opozitën dhe mazhorancën. Ditën e premte do të jetë në provë opozita, e cila ka dëshmuar se mund ta kontrollojë zemërimin popullor dhe kujtoj këtu që ka bërë një manifestim proteste të heshtur pas tragjedisë së Gërdecit ku humbën jetën 26 vetë dhe nuk dëgjuam jo gurë dhe thyerje xhami, por s’e dëgjuam asnjë mërmërimë nga ajo protestë masive, ashtu sikurse është në provë mazhoranca me një miting, do të thosha që mund të mos ishte bërë”,
vlerëson Dervishi.

Për analistin Aleksandër Çipa, nisur nga zhvillimet e pritshme ka gjithmonë vend për të besuar se situata duhet marrë seriozisht:

“Unë mendoj që jemi pranë dhunës në çdo moment, nga momenti që të dy palët kanë afishuar rrethanat dhe situatën e një mjedisi të konfliktit politik, siç është ky që po përjeton sot Shqipëria”.


Nën këtë optikë, zgjidhja e situatës politike për Çipën duket e vështirë pa një ndërhyrje ndërkombëtare apo edhe vetë kryetarit të shtetit.

“Besoj në mënyrë iluzive te një ndërhyrje e faktorit të tretë ndërkombëtar, sepse praktikisht të dyja palët sot duket sikur po japin provën e përdorimit të çdo institucioni apo çdo pushteti që është jashtë dy pushteteve politike. Në rastin konkret, kam një besim te nevoja e ndërhyrjes së presidentit të Republikës në autoritetin institucional të tij”,
vlerëson Çipa.

Për analistin Dervishi është më se emergjente fillimisht krijimi i një atmosfere për dialog, e më pas konsiderimi i zgjidhjeve që ofron opozita apo mazhoranca, nga ana tjetër.

“Zgjidhje do të thotë që të ulet retorika, të ulen aktet agresive, të ulet demonstrimi i forcës dhe të shikohet me gjakftohtësi një zgjidhje politike. Edhe pozita edhe opozita duhet të tërhiqen nga momentet, nga të cilat janë vendosur, nga pozicionet që kanë. Rruga e forcës nuk na çon në asnjë zgjidhje. Po citoj një proverb: Ai që fiton prej shpatës, nga shpata do ta gjejë vdekjen”, shprehet Dervishi.
XS
SM
MD
LG