Ndërlidhjet

HRW: Kritika për disa qeveri perëndimore


HRW
HRW
Në raportin më të ri të organizatës Hjuman Rajts Uoç (Human Rights Watch), kritikohet qasja e shumë qeverive perëndimore dhe institucioneve globale ndaj regjimeve represive në botë. Kjo qasje përshkruhet si frikësuese, servile dhe e pakuptimtë.


Grupi ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, Hjuman Rajts Uoç (Human Rights Watch), në raportin prej 648 faqesh për shkeljen e të drejtave të njeriut në mbarë botën, gjatë vitit 2010, ka kritikuar demokracitë për “reagim të butë” ndaj regjimeve represive.

Në raport theksohet se Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë dështuar të bëjnë presion të mjaftueshëm ndaj qeverive abuzuese. Në këtë kuadër veçohet edhe ajo që në raport përshkruhet si “pothuajse frikë universale në konfrontim me thellimin e goditjes së Kinës kundër lirive themelore”.

Grupi HRW akuzon edhe liderët perëndimorë, e veçanërisht Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun, shefen e politikës së jashtme të BE-së, Ketrin Eshton, dhe presidentin amerikan, Barak Obama, se po fokusohen shumë në dialog, e jo aq sa duhet në kundërshtimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Wenzel Michalski, drejtor i komunikimeve në zyrën gjermane të organizatës HRW, tha se raporti i sivjetmë është “i fuqishëm” në shqyrtimin e diplomacisë dhe përpjekjet për të drejta nga Perëndimi.

“Është bërë modë, gjatë disa viteve të fundit, për parapëlqim të dialogut, i ashtuquajturi dialog dhe diplomacia e heshtur, dhe kjo mund të emërohet si e turpshme. Ne mendojmë se kjo nuk bën asnjë të mirë për të drejtat e njeriut në mbarë botën. Aktualisht, kjo tregon se ato biseda, pas dyerve të mbyllura, nuk çojnë në asnjë përmirësim në atë hapësirë”,
tha Michalski.

Ai theksoi se kritika perëndimore synon të jetë më e zëshme, sa më pak që një vend ka për të ofruar në kuptimin e interesave ekonomike.

“Pra, kur kritikohen vendet sikur Bjellorusia, për shembull, fuqitë perëndimore, Bashkimi Evropian, Amerika, të gjithë kanë zë shumë të fuqishëm. Të gjithë ata shprehën shqetësimet e tyre për manipulim të votave dhe për kërcënim të opozitës. Shtrohet pyetja se përse është kështu?”.

“Përse vendet si Gjermania flasin fuqishëm për shkeljet e të drejtave të njeriut në vendet siç është Bjellorusia, por jo edhe për shembull, për Kinën? Kjo është, thjesht, për shkak se ne nuk merremi shumë me Bjellorusinë, ne nuk bëjmë shumë biznes me këtë vend dhe Bjellorusia nuk ka ndonjë burim natyror, që do të ishte me interes për ne. Pra, është më lehtë të emërohen dhe kritikohen vendet siç është Bjellorusia
”, thekson Wenzel Mishalski. (f.b.)
XS
SM
MD
LG