Ndërlidhjet

Guardian: Thaçi, peshk i madh i krimit të organizuar


Foto arkiv
Foto arkiv
Në një raport sekret të NATO-s, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, identifikohet si i përfshirë në botën e krimit. Ai cilësohet si një nga peshqit e mëdhenj të krimit të organizuar në vendin e tij, sipas raportit të NATO-s që e ka siguruar “Guardian”.

Dokumenti i NATO-s, i klasifikuar si sekret, tregon se SHBA-të dhe fuqitë e tjera perëndimore, që kanë mbështetur Qeverinë e Kosovës, kanë pasur njohuri të konsiderueshme për lidhjet kriminale të Thaçit.

Raporti identifikon edhe një tjetër zyrtar të lartë të Kosovës për lidhje me mafian shqiptare, duke theksuar se ai ka kontroll të konsiderueshëm mbi Thaçin.

Me mbishkrimin “USA KFOR”, aty sillen informacione të detajuara mbi rrjetet e krimit të organizuar në Kosovë, bazuar mbi informacionet e shërbimeve perëndimore të zbulimit dhe informatorëve. Përhapja gjeografike e rrjeteve kriminale është e përshkruar në raport së bashku me lidhjet familjare dhe bizneset.

Kosova funksionoi si protektorat i Kombeve të Bashkuara që nga fundi i luftës deri në 2008, kur shpalli pavarësinë nga Serbia.

Thaçi, i cili fitoi zgjedhjet muajin e kaluar, është mbështetur nga fuqitë e NATO-s. Qeveria e tij e ka hedhur poshtë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, duke e cilësuar si pjesë të konspiracionit serbo-rus që synon destabilizimin e shtetit.

Pavarësisht të tjerave, raporti i fundit sekret që ka rënë në duart e “Guardian” është hartuar nga KFOR-i, forca e NATO-s në Kosovë, përgjegjëse për sigurinë në vend. Ishin forcat e NATO-s që ndërhynë në vitin 1999 për të ndihmuar që t’i jepej fund fushatës së spastrimit etnik, që po kryenin forcat serbe të Sllobodan Milosheviqit.

NATO-ja, përmes një deklarate, ka pohuar se ka nisur një hetim të brendshëm lidhur me daljen e dokumentit, i cili është hartuar rreth vitit 2004, pak kohë përpara trazirave të marsit të atij viti.

Në dokumentin e KFOR-it, Thaçi identifikohet si njëri nga treshja e peshqve të mëdhenj në rrethet e krimit të organizuar. Pjesë e treshes është Xhavit Haliti, ish-drejtues i logjistikës së UÇK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i Thaçit në PDK.

Raporti i NATO-s sugjeron se Haliti, pos politikan i rëndësishëm, është dhe njëri nga drejtuesit e krimit të organizuar që lëviz me një revole çeke 9mm dhe ka ndikim të madh mbi kryeministrin.

Një nga raportet e përshkruan Halitin si “fuqia që qëndron pas Thaçit” me lidhje të forta me mafian shqiptare dhe SHIK-un. Raporti lë të kuptohet se ka qenë Haliti ai që e ka drejtuar fondin gjatë luftës së Kosovës, duke përfituar personalisht përpara se paratë të avullonin.

Raporti thekson se “Haliti është i përfshirë në trafikun e prostitutave, armëve dhe drogës” dhe përdor një heotel në qendër të Prishtinës si bazë operacionale.

Raporti argumenton se Haliti është bosi real në raportet me Thaçin. Një nga raportet thekson se Haliti përdor pasaporta false për të udhëtuar jashtë, pasi në disa vende ai është në listën e zëzë, përfshirë dhe SHBA-të.

Haliti lidhet dhe me frikësimin e kundërshtarëve politikë dhe dyshohet për dy vrasje që datojnë në fund të viteve ’90-të.

Një nga të vrarët është gjetur i vdekur në kufirin kosovar pas një mosmarrëveshjeje me Halitin.

Një tjetër vrasje që ka të bëjë me nja gazetar të ri shqiptar nga Kosova në Tiranë lidhet me emrin e kryeministrit, por pa e fajësur atë.

Duke iu referuar burimeve të NATO-s dhe SHBA-ve, thuhet se Haliti është i lidhur me vrasjet. “Ali Uka, gazetar në Tiranë, i cili mbështeste lëvizjen e pavarësisë, por që ka bërë dhe kritika në shkrime, është shpërfytyruar me shishe dhe kaçavidë më 1997. Shoku i dhomës së tij atëbotë ishte Hashim Thaçi”.

Haliti përmendet dhe në raportin e Martit, i cili iu referohet vlerësimeve nga raportet e FBI-së dhe MI5.

Duke u përgjigjur lidhur me akuzat e bëra nga raporti sekret i NATO-s, Qeveria e Kosovës tha se ato akuza kanë qarkulluar për gati një dekadë. Ato janë të bazuara në thëniet dhe falsifikimet e shërbimeve serbe.

Qeveria e Kosovës ka përsëritur thirrjen e kryeministrit për hetime nga EULEX-i dhe ka premtuar bashkëpunim të plotë me frocat e rendit. (i.b.)
XS
SM
MD
LG