Ndërlidhjet

A ka jetë pas spiunazhit?


Ana Çapmen
Ana Çapmen
Spiunazhi dhe shoubizi janë dy botë të ndara, ndërsa ish-agjentja ruse, Ana Çapmen, është duke bërë karrierë në të dyja.

Çapmen, e cila vitin e kaluar bashkë me të tjerë spiunë rusë u zbuluan se punojnë fshehurazi në Shtetet e Bashkuara, ka bërë debutimin e saj televiziv në programin “Sekretet e botës me Ana Çapmen”.

Përveç rolit në programin e ri, 28-vjeçarja ka marrë një post në Bankën e Rusisë, ka pozuar për revistën “Maxim” dhe ka luajtur në parodinë e Vitit të Ri të serialit “17 momente të pranverës”, në të cilin Stirlic, në rolin e agjentit sovjetik, ka një takim të shkurtër dhe prekës me Çapmenin në një restoran.

Çapmen i ka shtuar dhe një dimension politik karrierës së saj, duke iu bashkuar udhëheqjes së “Gardës së Re” (Molodaya Gvardia), përkatësisht krahut rinor të partisë së Putinit – Rusia e Bashkuar.

Grupi ishte kritikuar shumë për metodat e tij agresive, që kishin në shënjestër imigrantët e paligjshëm dhe kritikët e huaj të regjimit.

Ana Çapmen, dhjetor 2010.
Por, duke folur në kongresin e dhjetorit, Çapmen është përpjekur të sjellë një fytyrë të re, duke u bërë thirrje anëtarëve “të ndjejnë kënaqësi për çdo ditë të re dhe të lëvizin përpara me buzëqeshje”.

“Njerëz, le të fillojmë të ndryshojmë vendin duke ndryshuar veten tonë. Jini të lumtur”, u ka bërë thirrje Çapmen.

Megjithatë, jo çdonjëri është i lumtur. Kritiku i muzikës, Artiom Troitski, i cili është shfaqur si një vëzhgues i regjimit aktual politik, thotë se për shumicën e rusëve, Çapmen nuk është dhe aq tërheqëse në pamjen fizike dhe - ndoshta më e rëndësishmja - nuk duhet të shihet si "hero kombëtar" pas dështimit për të dalë me ndonjë informacion gjatë karrierës së saj si spiune.

“Unë nuk do të thosha se është shumë e popullarizuar. Unë mendoj se shumica e njerëzve kanë një opinion ironik për të. Ajo shihet si një lojë e preferuar e Vladimir Putinit. Për shkak të kësaj, të gjithë njerëzit përpiqen ta tërheqin me të gjitha llojet e favoreve, sepse mendojnë se është vajza lodër e Putinit”, thotë Troitski.

Çapmen, e lindur si Ana Kushçenko në qytetin rus të Volgogradit, ka kaluar një pjesë të jetës jashtë vendit. Babai i saj, një diplomat rus me lidhje në KGB, për shumë vite ka qëndruar në Kenia.

Në vitin 2000, ajo shkoi në Londër, ku për një kohë të shkurtër punoi në industrinë e aviacionit dhe u martua me Aleks Çapmen, i cili i dha mbimerin tashmë të njohur dhe një pasaportë britanike.

Katër vjet më vonë, ata u divorcuan, ndërsa autoritetet britanike, pas skandalit të spiunëve, i morën shtetësinë e Britanisë.

Ana Çapmen zhvendoset në Nju Jork në vitin 2006. Në kohën e arrestimit të agjentëve në verën e 2010-ës, nuk ishte e qartë nëse ndonjëri ka qenë i suksesshëm në zbulimin e informacioneve strategjike ushtarake.

Ana Çapmen
Por, sjellja e Çapmenit në atë kohë u konsiderua fëmijërore dhe jo sikur spiune, duke i telefonuar babait në Moskë për çdo telashe.

Megjithatë, ka dhe nga ata që janë zemërdhimbsur kundrejt saj. Gazetari dhe eksperti i mediave, Aleksei Pankin, thotë se kushdo qe merr trajnime në spiunazh, mund ta ketë të vështirë për t’u kthyer në jetën normale.

“Unë e njoh nga afër një ish-spiun të rëndësishëm – në fakt jemi miq. Qëndrimi i tij në lidhje me këtë është se njerëzit që kanë pasur një trajnim të tillë monstruoz dhe që kanë vuajtur aq marrëzisht, kërkojnë një përshtatje të vështirë dhe të komplikuar për t’u kthyer në një jetë të qetë civile”, thotë ai.

Çapmen nuk është i vetmi person “i paligjshëm” që përfiton nga bujaria e qeverisë pas rikthimit. Një tjetër agjente, Natalia Pereverzeva – e cila fshihej nën emrin Patrisia Mills gjatë kohës sa ishte në SHBA – është bërë ndihmëse e presidentit të gazsjellësit Transneft. Andrei Bezrukov, vjeshtën e kaluar, u emërua këshilltar i drejtorit të kompanisë së naftës Rosneft.

Eduard Lukas, redaktor në gazetën “The Economist”, i cili aktualisht po shkruan një libër për spiunët rusë, thotë se nuk ka asgjë në performacën e Çapmenit si spiune që e bën atë të rëndësishme.

Megjithatë, shton ai, Çapmen ka provuar të jetë e dobishme për Kremlinin. Edhe pse rrugët e vendit po shkatërrohen dhe spitalet po kundërmojnë myk, spiunët rusë kanë qenë gjithmonë një pikë e krenarisë masive, “një grimcë e shtetit që me të vërtetë punon”, thotë Lukas. Ai shton se Kremlini është gati ta mbrojë atë.

“Kremlini tash synon ta fshehë këtë dhe të thotë: 'e dini çfarë? Ne e kemi këtë zonjushë joshëse dhe mund të vëmë bast se spiunët e juaj nuk janë aq glamurozë sa ajo’. Mendoj se kjo, në njëfarë mënyre, është e mirë për imazhin e Rusisë - pra, ideja e ekzistimit të një gruaje që flet disa gjuhë, e talentuar, kosmopolite, e pashme, e cila përfaqëson Rusinë e re. Po të isha unë një konsulent në krijimin e imazhit të një vendi, do ta shfrytëzoja pikërisht këtë zonjushë”, thotë Lukas. (v.t.)

XS
SM
MD
LG