Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Ta fitojmë të ardhmen

  • Heather Maher

Presidenti amerikan, Barak Obama, duke mbajtur fjalimin vjetor / 25 janar 2011

Presidenti amerikan, Barak Obama, duke mbajtur fjalimin vjetor / 25 janar 2011


Amerika përballet me atë që mund të quhet momenti “Sputnik”, deklaroi presidenti Barak Obama, duke iu referuar vitit 1957 kur Bashkimi Sovjetik lëshoi në hapësirë satelitin e parë, çfarë nxiti një periudhë zbulimesh dhe arritjesh në Shtetet e Bashkuara.

Siç është traditë, në fund të janarit të çdo viti, presidenti i Shteteve të Bashkuara mban fjalimin vjetor drejtuar kombit, ku paraqet strategjitë politike.

Në fjalimin e këtij viti, Obama foli për krijimin e më shumë vendeve të reja të punës dhe rikthimin e shpirtit të konkurrencës, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të fitojnë të ardhmen.

Duke iu referuar synimeve të presidentit pjesa më cinike e vëzhguesve politikë në Uashington theksoi se nëse Obama nuk krijon miliona vende pune në dy vitet e ardhshme atëherë rrezikon vendin e tij të punës në garën presidenciale të 2012-ës.

Por në fjalimin e sotëm Obama ngjasoi më shumë me veten e tij dy vite më parë. Ai premtoi politikë konsensusi duke shtuar se “sfidat me të cilat përballemi janë më të mëdha se partitë e më të mëdha se politika”.

“Në pyetje tani nuk është fituesi i zgjedhjeve të ardhshme, pasi në fund të fundit sapo i patëm një palë zgjedhje. Në lojë është nëse industritë e reja e bashkë me to vende të reja të punës do të zhvillohen në Amerikë apo diku tjetër'.

"Në pyetje është nëse puna e madhe dhe industria jonë do të shpërblehen apo jo. Në pyetje është nëse do ta ruajmë rolin udhëheqës që e ka bërë Amerikën jo thjesht një vend në hartë, por dritën e botës”,
tha Obama.

Me këtë frymë Obama sfidoi dy partitë që ndajnë kryesimin e Kongresit, Demokratët dhe Republikanët, nëse do të punojnë së bashku për ta bërë Amerikanë vendin që kryeson në arsim dhe shkencë në nivel global.

Ai kujtoi momentin kur në vitin 1957 lëshimi në hapësirë i satelitit Sputnik nga Bashkimi Sovjetik e kapi Amerikën në befasi. Por nga ana tjetër ishte Sputniku që nxiti një periudhë zbulimesh e arritjesh në Shtetet e Bashkuara.

“Gjysmë shekulli më parë kur sovjetikët na mundën duke hedhur në hapësirë satelitin Sputnik, ne nuk e kishim idenë se si do t’i mundnim ata me shkuarjen në Hënë. Shkenca nuk kishte arritur ende në atë pikë".

"Për më tepër NASA nuk ekzistonte. Por duke investuar më shumë e më mirë në arsim dhe shkencë ne i tejkaluam sovjetikët. Nisëm një valë të re zbulimesh që krijoi industri të reja e për rrjedhojë miliona vende pune. Ky është momenti Sputnik i gjeneratës sonë”,
tha Obama.

Presidenti amerikan theksoi se investimet e mëdha e kanë shndërruar Kinën në shtëpinë e kërkimeve më të mëdha në industrinë e ngrohjes diellore dhe në origjinën e kompjuterit më të shpejtë në botë.
Presidenti Obama duke u përshëndetur me mbështetësit e tij
Kur Obama foli pë rritjen e aftësisë konkurruese të ekonomisë amerikane një numër drejtuesish të kompanive të mëdha të pranishëm në sallë duartrokitën.

“Ne duhet ta tejkalojmë pjesën tjetër të botës në arsim dhe në zbulimet shkencore. Ne duhet ta bëjmë Amerikën vendin më të mirë në Tokë për të bërë biznes. Duhet të marrim përgjegjësi për defeçitin tonë dhe të reformojmë qeverinë. Kështu njerëzit tanë do të përparojnë. Vetëm në këtë mënyrë do ta fitojmë të ardhmen”, tha Obama.

Politika e jashtme nuk ishte tema qendrore e fjalimit të Obamas.

Në përgjigje ndaj fjalimit të tij, Partia Republikane tha se amerikanët meritojnë “zgjedhje më të mirë dhe vizion tjetër”.

Reagimin e kësaj partie e paraqiti Pol Rajan, kryesues i Komitetit të Buxhetit në Dhomën Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

“Vitin e kaluar, në një dështim të paprecedent, Kongresi zgjodhi që të mos e kalojë ose bile ta propozojë buxhetin. Kënaqësia e shpenzimeve vazhdoi e pakontrolluar. Ne ju kemi borxh një zgjedhje më të mirë dhe vizion tjetër”, tha Rajan, për të shtuar:

“Amerikanët janë skeptikë ndaj të dy partive politike. Ky skepticizëm është i arsyeshëm, veçanërisht kur kemi të bëjmë me shpenzime”, tha republikani Pol Rajan, në përgjigje të fjalimit të presidentit Barak Obama. (i.b.)
XS
SM
MD
LG