Ndërlidhjet

logo-print
Autoritetet duhet ta përmirësojnë ambientin biznesor në Kosovë, në mënyrë që të dërgohet një imazh tjetër në drejtim të investitorëve ndërkombëtarë, thonë njohës të rrethanave ekonomike.

Në këtë drejtim, thotë Lekë Musa, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, institucionet përgjegjëse duhet të bëjnë përpjekje për uljen e shkallës së korrupsionit, eliminimin e barrierave për marrjen e licencave dhe lejeve, si dhe përmirësimin e sistemit gjyqësor.
Në rend të parë duhet punuar me sektorin privat, për të përmirësuar ambientin afarist në Kosovë.


"Në rend të parë duhet punuar me sektorin privat, për të përmirësuar ambientin afarist në Kosovë. Këtë vit, shpresoj se qeveria e re, e cila do të formohet, do të punojë së bashku me sektorin privat dhe me agjencitë e huaja në Kosovë, të cilat janë të involvuara në reformimin e ambientit afarist”, thotë Musa.

Viteve të fundit, investimet e huaja kanë shënuar rënie. Edhe pse për vitin e kaluar nuk ka ndonjë shifër zyrtare sa ka qenë shuma e investimeve ndërkombëtare, megjithatë thuhet se ka pasur një rritje deri në 3 për qind, në krahasim me vitin 2009, kur investimet e huaja ishin në vlerë prej 310 milionë eurosh, apo 30 për qind më pak se në vitin 2008.

Rënia e investimeve, sipas Ahmet Shalës, ministër në dorëheqje i Ekonomisë dhe Financave, ka qenë pasojë e krizës financiare botërore.

“Natyrisht, kriza ekonomike botërore ka bërë që investimet e huaja, sidomos në pjesën e Evropës, të mbyllen në vetvete. Është një qasje evropiane, nëse mund të them, se është një ngrirje e daljes jashtë Evropës".
Shifrat nuk janë shumë dekurajuese, nëse krahasohen edhe me shtetet në rajon, Kosova prapë qëndron, mbase jo shumë kënaqshëm, por me një trend rritjeje.


"Megjithatë, shifrat nuk janë shumë dekurajuese, nëse krahasohen edhe me shtetet në rajon, Kosova prapë qëndron, mbase jo shumë kënaqshëm, por me një trend rritjeje. Kjo do të varet shumë edhe nga ajo se çfarë kemi për tregun, sidomos në aspektin e transformimit të ndërmarrjeve publike”,
thekson Shala.

Sidoqoftë, Shala shpreson se gjatë këtij viti do të ketë rritje të investitorëve ndërkombëtarë, pasi, sipas tij, gjatë kësaj periudhe pritet privatizimi i Postë-Telekomit të Kosovës, fillimi i punëve për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, fillimi i punimeve për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, si dhe privatizimi i kompleksit turistik “Brezovica”.

“Të gjitha këto, si dhe projektet tjera të vogla, që për çdo ditë sektori privat është duke i bërë, japin shpresa. Është më rëndësi që ne të fokusohemi në përmirësimin e kushteve dhe atraktivitetin e Kosovës në aspektin biznesor. Por, në anën tjetër, neve na duhet të punojmë shumë për imazhin e Kosovës në botën e jashtme”, pohon Shala.

Realizimi i këtyre projekteve të parapara nga qeveria, do të ndikojë në rritjen e investimeve të huaja, thotë edhe Lekë Musa.

“Ka sektorë, të cilët duhet liberalizuar, ku ka pasur dhe ende ka të
interes nga investitorët e huaj që të hyjnë në Kosovë. Shpresoj se në të njëjtën kohë do të vazhdohet me reforma strukturore, siç është privatizimi i PTK-së, distribuimi, projekti i Termocentralit 'Kosova e Re'” .

"Dhe, të gjitha këto janë projekte mjaft të mëdha; mund të tërhiqen investitorë të huaj, dhe të dërgohet një imazh se në Kosovë mund të bëhet biznes"
, shprehet Musa.

Në raportet e ndryshme të mekanizmave ndërkombëtarë financiarë, gjatë vitit që lamë pas, Kosova nuk është paraqitur në nivel të kënaqshëm sa i përket ambientit të biznesit.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG