Ndërlidhjet

Rigjykohet "Grupi i Llapit"


Gjykata Supreme ka kthyer në rigjykim rastin ndaj pjesëtarëve të të ashtuquajturit “Grupi i Llapit”, në të cilin bën pjesë edhe ish-deputeti Rrustem Mustafa.

Avokati Mexhid Syla bëri të ditur se nga akuza që përmbante 14 pika, tashmë kanë mbetur vetëm tri pika, për të cilat pritet të mbahet rigjykimi në Gjykatën e Qarkut.

“Ata do të përballen sërish me rigjykim rreth disa pikave të akuzës. Lënda kthehet në Gjykatën e Qarkut”, i tha Radios Evropa e Lirë Mexhid Syla, duke mos dhënë detaje, pasi, siç u shpreh, ende nuk e ka shqyrtuar aktvendimin në hollësi.

Në vitin 2009, një trup gjykues i përzier, i përbërë prej një gjykatësi kosovar dhe dy gjykatësve të EULEX-it, pati shpallur fajtorë pjesëtarët e të ashtuquajturit "Grupi i Llapit".

Ky vendim qe apeluar, ndërkohë që nuk dihet se kur do të rifillojë gjykimi.

Rrustem Mustafa qe dënuar me 4 vjet burg “për krime të luftës, për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës, për rrahje dhe torturim të civilëve të paraburgosur”.

Latif Gashi u dënua me 6 vjet burg pasi u shpall fajtor “për krime të luftës, për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës, për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur”.

Nazif Mehmeti qe dënuar me tre vjet burg nën akuza të njëjta - “krime të luftës për shkak të trajtimit çnjerëzor të civilëve të paraburgosur dhe krime të luftës për shkak të rrahjes dhe torturimit të civilëve të paraburgosur".

Krimet për të cilat ngarkohen, thuhet se kanë ndodhur nga muaji tetor i vitit 1998 deri nga mesi i muajit qershor të vitit 1999.
XS
SM
MD
LG