Ndërlidhjet

Zanatet në shuarje


Artizanatet në Kosovë dita-ditës po shuhen. Sipas atyre që merren me këtë punë, zanatet janë shndërruar në punë jo edhe aq fitimprurëse. Kjo mund të jetë një nga arsyet pse të rinjtë nuk dëshirojnë ta vazhdojnë zanatin e të parëve të tyre.

Vilson Tomërecaj, punon në njërin nga dyqanet e filigranit, ndër më të vjetrat në Prishtinë. Ai vetë këtë zanat e ushtron qe 30 vjet, por thotë se nëse krahason punën sot me vitet e kaluara, edhe ky zanat është në shuarje e sipër.

Punimet filigran

”Unë, qe 30 vjet merrem me këtë zeje. Filigranin e kemi punuar me porosi, sidomos për turistë kroatë dhe ka qenë shumë profitabil, por prej viteve '90 interesimi ka rënë dukshëm”, thotë Tomërecaj për Radion Evropa e Lirë.


Sipas Tomërecajt, pas përfundimit të luftës, me ardhjen e ndërkombëtarëve në Kosovë, ka filluar të ngjallet pak interesimi për të blerë gjëra të argjendta me vlerë, të punuara me dorë, por megjithatë puna dhe fitimi nuk është në nivelin e kënaqshëm.

Gjeneratat e reja, sipas Tomërecajt, nuk janë aspak të interesuara ta trashëgojnë zanatin.

”Mund të them lirisht se ky zanat është në zhdukje. Fëmijët janë të interesuar për shkollë dhe profesione tjera dhe fare nuk janë të interesuar për këtë zanat”.

“Filigrani nuk punohet vetë, punohet në mënyrë zinxhirore, secili e ka rolin e vet për ta punuar një artikull. Për ta punuar vetë është shumë e vështirë, e njerëz nuk ka”,
tregon Tomërecaj.

Ndërkaq, qytetarët e zakonshëm mendojnë se është mëkat që artizanatet janë në shuarje e sipër. Edona Meka mendon se nëpërmjet tyre paraqitet edhe kultura e një populli.

”Zanatet janë pjesë e kulturës së një kombi. Mirë do të ishte që prindërit, që merren me zanate të këtilla, të insistojnë te fëmijët e tyre, të cilët nuk janë të interesuar”.

“Megjithatë, është pak e vështirë sot, në krahasim me shkollimet më të avancuara që ofrohen sot e që janë shumë ‘in’ dhe që sjellin më shumë të ardhura financiare”,
shprehet Edona Meka.

Ajo tregon përvojën e saj gjatë udhëtimit në disa vende të Evropës Perëndimore, ku, siç thotë, me xhelozi ruhet dhe trashëgohet zanati.

“Në Francë ta zëmë, është një vend i vogël, në të cilin i gjithë fshati merret me artizanale, me punimin e kapelave karakteristike. Në Itali është një fshat i vogël, i cili në tërësi merret me punime qeramike”, thotë Meka.

Hana Jahja, këpuctare

Por, pavarësisht trendit të mosinteresimit për zanatet e prindërve, edhe në Prishtinë, ka të atillë që megjithatë kanë vendosur të trashëgojnë punën familjare.

Hana Jahja, tash e pesë vjet punon si këpuctare, së bashku me të atin e saj.

”Jam këpuctare dhe si profesion, për mua është shumë i kënaqshëm. E dua këtë punë, e punoj tash e 5 vjet, e kam mësuar zanatin mirë dhe thjesht më pëlqen”, shprehet Hana për Radion Evropa e Lirë.

I ati i saj, Orhan Jahja, ndihet mirë për këtë fakt. Ai vetë zanatin e këpuctarit e ushtron tash e 20 vjet.

“Unë mburrem me vajzën time, të paktën dikush po interesohet për këtë zanat. Tash e 20 vjet punoj pa ndërprerje në këtë profesion. Shpesh më thonë, kjo punë apo ajo tjetra është më profitabile, por për të jetuar një jetë mesatarisht standarde, mundesh edhe me këtë zanat”, thotë zoti Jahja.


Zanati i teneqepunuesit

Video: Arton Konushevci

Profesioni i teneqepunuesve, i cili para 50 vjetësh ka qenë shumë i popullarizuar, tashmë është në shuarje e sipër.

Teneqepunuesit që aktualisht prodhojnë elemente të ndryshme shtëpiake pohojnë se qytetarët nuk kanë më interesim për prodhimet e tyre prej teneqeje.

Aktualisht, në Prishtinë thuhet se ekzistojnë rreth katër dyqane të këtij lloji.

Zanati në zhdukje...
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00
XS
SM
MD
LG