Ndërlidhjet

Për dhe kundër pjesëmarrjes në Qeveri


Fotografi nga arkivi
Fotografi nga arkivi
Subjektet politike serbe që kanë garuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, presin që numri i përgjithshëm i deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës të jetë deri 14. Sllobodan Petroviq, lider i Partisë Liberale Serbe, pret që subjekti i tij të ketë, së paku, 9 ulëse në Kuvend dhe thotë se subjekti politik i tij është i gatshëm që me marrëveshje të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Por, Rada Trajkoviq nga Lista e Përbashkët Serbe, e cila pret t’i ketë 3 deri 5 deputetë në Kuvend, përjashton çdo mundësi të inkuadrimit në qeverinë e ardhshme, nëse mandatar do të jetë Hashim Thaçi.


Në bazë të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të fundit parlamentare në Kosovë, përfaqësuesit e subjekteve politike serbe, pjesëmarrëse në zgjedhje, thonë se subjektet e tyre do të kenë një numër të konsiderueshëm të ulëseve në Kuvendin e Kosovës. Ata presin që numri i përgjithshëm i deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës të jetë 13 ose 14.

Slobodan Petroviq, lider i Partisë Liberale Serbe, thotë se nëse ulëseve të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës u shtohet edhe suksesi i subjektit të tij politik në zgjedhje, atëherë numri i përfaqësuesve të SLS-së do të jetë i lakmueshëm, edhe pse ende pritet të numërohen edhe votat me kusht.
Ajo që mund të them është se Partia Liberale Serbe, së paku mund t’i ketë
9 deputetë.

“Ajo që mund të them është se Partia Liberale Serbe, së paku mund t’i ketë 9 deputetë. Do të thotë, nga kuota e garantuar prej 10 ulëseve, ne do t’i kemi 7 deputetë, plus 2 të tjerë, të cilët janë fituar me daljen masive në zgjedhje të votuesve nga bashkësia serbe. Partia jonë politike ka marrë pjesë në këto zgjedhje, në mënyrë që të ketë mbështetje sa më të madhe dhe të ketë rastin që të jetë pjesë e qeverisë”
, thotë Petroviq për Radion Evropa e Lirë.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, një nga lideret e Listës së Përbashkët Serbe, bazuar në rezultatet preliminare dhe në votat me kusht, të cilat pritet të numërohen, vlerëson se subjekti i saj do të ketë 3 - 5 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Trajkoviq thotë se pjesëmarrjen në Kuvendin e Kosovës do ta shfrytëzojnë për shpërfaqjen e problemeve dhe ofrimin e zgjidhjeve për to, në dobi të të gjithë banorëve të Kosovës.

“Ne kemi deklaruar publikisht se nuk e pranojmë pavarësinë e Kosovës, por e pranojmë realitetin. Do të punojmë në projektet ligjore, të cilat do të mundësojnë normalizimin e jetës së serbëve dhe shqiptarëve. Në këtë mënyrë do të tregojmë se si një ide e pastër dhe e ndershme, për të mirën e njeriut, mund ta bëjë për vete popullin, edhe atëherë kur nuk jeni të deklaruar publikisht si anëtar të qeverisë”
, shprehet Trajkoviq.

Ndryshe, deklaratat e përfaqësuesve të të dy këtyre subjekteve politike serbe, sqarojnë qëndrimin e tyre lidhur me pjesëmarrjen eventuale në Qeverinë e Kosovës, nëse për një gjë të tillë u jepet rasti.

Petroviq thotë se Partia Liberale Serbe është e gatshme të hyjë në koalicion me mandatarin që do të formojë qeverinë e Kosovës, por kjo do të varet nga marrëveshja që do ta kenë me këtë mandatar.

“Ne do të marrim pjesë në bisedime për formimin e qeverisë dhe pres që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët, e cila do të jetë në interes të të gjithë qytetarëve që jetojnë këtu. Ne, deri më tash, kemi treguar se nuk dëshirojmë ta keqpërdorim pozicionin tonë, aq më tepër që tash pozicioni i Partisë Liberale Serbe është shumë më serioz dhe më i fortë, duke pasur parasysh mbështetjen që kemi marrë nga qytetarët. Kjo për ne është privilegj dhe obligim i madh dhe ne dëshirojmë që të jemi të përgjegjshëm”,
deklaron Petroviq.

Është e qartë se nëse mandatar do të jetë Hashim Thaçi, ne nuk do të hyjmë në qeveri.
Ndërkaq, Rada Trajkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirës se qëndrimi i subjektit të saj për të mos hyrë në kuadër të qeverisë së ardhshme është i prerë, nëse në krye të saj do të jetë kryeministri në dorëheqje, Hashim Thaçi.

“Është e qartë se nëse mandatar do të jetë Hashim Thaçi, ne nuk do të hyjmë në qeveri. Nëse në mbledhjen e Këshillit të Evropës, i gjithë kontinenti i Evropës e ka pranuar rezolutën e Dik Martit dhe ka kërkuar fillimin e hetimeve, unë mendoj se paraprakisht duhet të dimë nëse ai njeri me të vërtetë nuk është ai, i cili merret me tregun e drogës, armëve, femrave dhe ajo më e fuqishmja, tregtia me organe. Nuk dua që më vonë të pendohem se kemi qenë pjesë e qeverisë, në krye të së cilës kanë qenë njerëz, që kanë të bëjnë me të gjitha këto që përmenda”
, thekson Trajkoviq.
XS
SM
MD
LG