Ndërlidhjet

Shënohet Dita e Holokaustit

  • RFE /RL



Në mbarë botën sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Viktimave të Holokaustit.

Presidenti i Gjermanisë, Kristian Uulf, dhe ai i Polonisë, Bronislav Komorovski, së bashku me të mbijetuarit, e kanë përkujtuar sot Holokaustin.

Përkujtimi është bërë në ish-kampin nazist gjerman në Aushvic në Poloni.

Në Berlin, Parlamenti i Gjermanisë ka mbajtur sesion të veçantë për t’i nderuar viktimat e Holokaustit.

Për të parën herë një person rom foli në këtë tubim, duke i përkujtuar ligjëvënësit gjermanë për atë që ai e cilësoi si “Holokaust i harruar” i 500 mijë njerëzve si ai.

I mbijetuari i Holokaustit, holandezi Zoni Weisz, 73-vjeçar, tha se diskrimimini dhe dëbimi i romëve në disa vende të Evropës Perëndimore, ka treguar se Evropa ka dështuar ta mësojë mësimin kryesor nga periudha e nazizmit.

Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar, në ditën kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau në vitin 1945.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore humbën jetën 53 milionë njerëz, nga të cilët rreth 31 milionë civilë.

Dje, kryeministri izraelit Benxhamin Netanjahu, i bëri thirrje botës që t'i mësojë mësimet nga Holokausti dhe të veprojë kundër armikut shtetëror të Izraelit, Iranit.

Ai e akuzoi "regjimin e ajatollahëve" për nxitje të "gjenocidit" të ri kundër popullit hebrej.

Presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadineaxhad, vazhdimisht edhe publikisht e ka mohuar Holokaustin, duke e quajtur "mit".
XS
SM
MD
LG