Ndërlidhjet

NYT: Ndaleni vetë-shkatërrimin e Shqipërisë


Pamje nga protestat e 21 janarit në Tiranë, Shqipëri.

Pamje nga protestat e 21 janarit në Tiranë, Shqipëri.

"New York Times"

Shkruan: Daniel Korski, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie të Jashtme

Sipas organizatës “Planeti i Vetmuar”, Shqipëria për një çast, është destinim që duhet parë në vitin 2011, vend anëtar i NATO-s, qytetarët e së cilës gëzojnë lirinë e udhëtimit pa viza në Bashkimin Evropian.

Në çastin tjetër, forcat e qeverisë po i gjuajnë dhe vrasin protestuesit në rrugë, ndërsa Zyra e Jashtme Britanike i paralajmëron vizitorët t’i shmangin turmat e mëdha në Tiranë.

Shqipëria, e cila doli nga diktatura e stilit veri-korean në vitin 1990, kolapsoi dhunshëm në vitin 1997 dhe tash po lëkundet buzë një katastrofe tjetër.

Pyetja nëse vendi do të zhytet në konflikt të brendshëm e mundon edhe Evropën.

Kohëve të fundit Shqipëria ka qenë forcë e paqes në Ballkan, duke ndërtuar lidhje me armiqtë e vjetër, si Serbia dhe duke u bërë thirrje bashkëkombësve të vet në Kosovë dhe Maqedoni të angazhohen për paqen.

Trupat shqiptare ndodhen krah për krah me ushtarët e NATO-s në Afganistan. Kthimi në një konflikt do të ishte i keq për Ballkanin, i keq për Evropën dhe i keq për NATO-n.

Sidoqoftë, kriza aktuale ka rrënjë të thella. Që nga viti 1992, asnjë zgjedhje në Shqipëri nuk është konsideruar e lirë dhe e drejtë nga OSBE-ja.

Zgjedhjet janë luftuar sikur të ishin beteja, me armiq të përbetuar kundër njëri-tjetrit, dhe jo besnikë ndaj procesit demokratik. Zgjedhjet janë mundësi për politikanët që t’i shkatërrojnë kundërshtarët dhe t’i pasurojnë miqtë.

Zgjedhjet e fundit, në qershor 2009, nuk ishin ndryshe. Lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, protestoi kundër rezultateve duke bojkotuar Parlamentin. Bojkoti vazhdon ende, duke e bërë Shqipërinë peng të mosmarrëveshjeve.

Ndërkohë, kryeministri Sali Berisha ka qeverisur në atë mënyrë që Freedom House tash e konsideron vendin vetëm “pjesërisht të lirë”, status që i ka dhënë Abkhazisë, Gambisë dhe Nagorni Karabahut.

Rivaliteti i ashpër i nxitur nga personalitetet e Berishës dhe Ramës ka shkaktuar fërkime duke dëmtuar institucionet.

Të marrim për shembull Kushtetutën e vitit 1998. Tre vjet më parë, Berisha dhe Rama në mënyrë cinike u dakorduan për një paketë reformash, të cilat, sipas presidentit Alfred Moisiu e ndryshuan Kushtetutën brenda natës.

Të dy liderët mund të kenë menduar se do të përfitonin nga ndryshimet. Tash shihet se vetëm njëra palë përfitoi, ndërsa tjetra derdh lot. Modeli i ngjashëm ndodh edhe me kodin elektoral.

Korrupsioni është ndoshta problemi më i madh. Shqipëria është e 95-ta në listën e Transparency International. Megjithatë, Berisha vazhdon t’i hedhë poshtë akuzat e aleatëve kryesorë.

Shpërthimi i depos ushtarake që la dhjetëra të vrarë detyroi ish-ministrin e Mbrojtjes të dorëhiqet. Mirëpo, Fatmir Mediu prapë u rizgjodh deputet, ndërsa imunitetin e humbur ia riktheu një vendim i Gjykatës Supreme.

Gjendja e mediave vazhdon të jetë e zymtë, pavarësisht garancive ndërkombëtare për lirinë e shprehjes. Mediat zakonisht janë politikisht të varura, kurse gazetarët mbeten objekt të padisë, frikësimit apo sulmit fizik.

Pas shumë vjetësh të aktiviteteve të tilla, institucionet e Shqipërisë janë në një kaos. Madje edhe gjyqësori është i tillë, teksa po diskutohen argumentet për atë nëse duhet të arrestohen gjashtë pjesëtarët e Gardës Kombëtare.

Në vend që të ndalen dhe të shohin dëmin që kanë shkaktuar, Rama dhe Berisha vazhdojnë t’i sharrojnë institucionet. Të dy duken sikur janë të gatshëm të përdorin mjete tjera për të marrë apo për të ruajtur pushtetin.

Berisha e akuzoi Ramën se u përpoq të “marrë pushtetin me forcë” dhe se orkestroi “përpjekje të qartë” për ta përmbysur qeverinë legjitime.

Rama, ndërkaq, proteston me arsyetimin se sundimi i Berishës është jodemokratik dhe lë të kuptohet se vetëm një revolucion i stilit të Tunizisë mund të sjellë ndryshime në vend.

Në vitet e fundit Bashkimi Evropian pati përqendruar vëmendjen gjetkë në Ballkan.

Tash, BE-ja duhet ta bëjë të qartë se politikanët shqiptarë duhet të heqin dorë nga dhuna dhe t’i japin fund shkatërrimit të institucioneve të vendit.

Në të kundërtën, shqiptarët mund të humbin lëvizjen e lirë nëpër Evropë, dhe vendi i tyre mund të pësojë shumë në rrugën drejt BE-së. Madje, mund të rrezikohet edhe anëtarësimi në NATO.

Për ta treguar shqetësimin e saj, kryediplomatja e BE-së, Ketrin Eshton, duhet të dërgojë një ndërmjetësues të lartë në Shqipëri. Duhet të ngrihet një komision i ish-presidentëve për ta hetuar dhunën e fundit.

Bashkësia ndërkombëtare duhet të organizojë dhe t’i drejtojë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare vitin e ardhshëm, duke dërguar mesazhe pa ekuivoke se institucionet e Shqipërisë nuk janë më të besueshme apo në gjendje që t’i organizojnë vetë.

Qeveria e re duhet t’i përmbahet një agjende konkrete për reforma. Kjo mund t’i ndalë përfundimisht politikanët e Shqipërisë që t’i sharrojnë institucionet e vendit. Nëse jo, atëherë ndikimi do të ndjehet përtej kufijve të Shqipërisë.(v.p.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG