Ndërlidhjet

Republikanët duan më pak fonde për OKB-në

  • Nik Krastev

SHBA

SHBA


Anëtarët republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan e kritikojnë OKB-në si jo efikase. Ata kërkojnë që organizata botërore të bëjë reforma dhe të zvogëlohen fondet amerikane për OKB-në.

Drejtuesja e Komitetit të Politikës së Jashtme në Dhomën e Ulët të Kongresit, Ileana Ros Lehtinen, e cilëson OKB-në si jo efikase dhe të korruptuar. Ros Lehtinen thekson se do të paraqesë një propozim-ligj që synon reforma reale, përfshirë ndryshimin e financimit, duke u mbështetur vetëm me fonde, të cilat i pëlqejnë.

“Taksapaguesit amerikanë mund të paguajnë për programet dhe aktivitetet e Kombeve të Bashkuara që çojnë përpara interesat dhe vlerat tona. Nëse vendet e tjera duan të tjera programe, le t’i mbështesin vetë”, thotë kongresistja amerikane.

Propozimi vjen në kohën kur republikanët synojnë që t’i shkurtojnë shpenzimet e brendshme me 100 miliardë dollarë këtë vit.

Historikisht republikanët në Shtetet e Bashkuara kanë qenë dyshues rreth aftësisë së Kombeve të Bashkuara për t’i përmbushur qëllimet dhe t’u bëjë ballë diktatorëve. Skandalet brenda organizatës botërore si ato që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e fondeve në programin “Naftë për ushqim”, në Irakun e Sadam Huseinit, vetëm sa i kanë forcuar pozicionet e republikanëve.

Shkurtimi i fondeve për OKB-në është vetëm një pjesë e vogël e shkurtimeve që republikanët kërkojnë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mark Lagon, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Nju Jork. Më tej Lagon sqaron:

“Pyetja e shtruar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve është: A janë institucionet që mbështeten mbi donacionet vullnetare si Programi Botëror i Ushqimit më i përgjegjshëm se FAO, Organizata për Ushqim e Bujqësi fondet e së cilës janë të garantuara? Dhe, ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë pyetje”.

Republikanët shtrojnë tri pyetje konkrete kur diskutohen Kombet e Bashkuara. A po i çojmë përpara interesat amerikane në OKB? A po u mbetemi besnik vlerave amerikane në këtë organizëm? A jemi përgjegjës përballë taksapaguesve amerikanë?

Sipas republikanëve përgjigja për të tri pyetjet është e njëjtë “Jo”.

Pavarësisht kërcënimeve të republikanëve, Lagon beson se nuk do të kemi bllokim apo shkurtim të ndjeshëm të fondeve amerikane për OKB-në.

“Demokratët kontrollojnë Senatin dhe nuk do të lejojnë shkurtime të mëdha të fondeve për OKB-në. Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara i mbështesin parimet e paqeruajtjes, luftës ndaj krimeve dhe gjenocidit apo që të mundësohet ushqimi dhe vaksinimi i fëmijëve në botë”,
pohon Lagon.

I pashqetësuar nga kërcënimet e republikanëve duket kreu i organizatës botërore, Ban Ki Mun.

“Pres që Kongresi i kontrolluar nga republikanët do të vazhdojë të bashkëpunojë për të dhënë fondet e nevojshme dhe mbështetjen politike e financiare. Jam i sigurt se OKB-ja do të vazhdojë të gëzojë mbështetjen e fuqishme nga Kongresi me përbërje të re”
, thotë Ban. (i.b)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG