Ndërlidhjet

Rishikim ligjeve të përshpejtuara


Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Ligjvënësit kosovarë (Foto nga arkivi)

Rreth 49 ligje të Pakos së Ahtisarit që janë miratuar dy vjet më parë me procedurë të përshpejtuar, pa debat, pa mundësi intervenimi dhe pa përfshirjen e shoqërisë civile, duhet të rikthehen sërish në Kuvendin e Kosovës për dëgjime publike dhe rekomandime, vlerësuan përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ish-deputetë të Kuvendit në konferencën “Ligjet e Pakos së Ahtisarit – dy vjet pas miratimit”.

Agron Demi, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, institut ky që ka organizuar këtë konferencë, tha se pas shpalljes së pavarësisë së vendit, Kosovës i është dashur të adoptojë ligje, të cilat asnjëherë nuk kanë gjetur zbatim.

Demi theksoi se institucionet e Kosovës, si ekzekutivi, ashtu edhe Kuvendi, kanë suspenduar rregulloret e tyre të punës dhe kanë miratuar ligje pa debat dhe me procedurë të përshpejtuar.

“Deputetët e legjislaturës së katërt, e cila pritet të konstituohet së shpejti, respektivisht komisionet parlamentare të përbërjes së re duhet të organizojnë dëgjime publike për të gjitha ligjet e Pakos së Ahtisarit, të cilat janë miratuar në procedurë të përshpejtuar dhe nuk është bërë debat asnjë herë. Edhe ligjet, të cilat kanë nevojë për ndryshime dhe plotësime të mos bëhen me procedurë të përshpejtuar”, tha Demi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Sameer Saran, tha se Pakoja e Ahtisarit nuk ka pasur ndonjë rregullore për procedurë të përshpejtuar për miratimin e të gjitha ligjeve. Ai theksoi se afat të caktuar kohor ka pasur vetëm për pjesën e parë të ligjeve.
Shumica e këtyre ligjeve, të cilat janë miratuar, është dashur të miratohen brenda periudhës 120 ditore nga pavarësia...


“Shumica e këtyre ligjeve, të cilat janë miratuar, është dashur të miratohen brenda periudhës 120 ditore nga pavarësia, për shkak të rrethanave të caktuara. Një numër i këtyre ligjeve janë miratuar edhe pas kësaj periudhe kohore. Ligji i fundit që ka shkuar me këtë procedurë ka qenë më 16 dhjetor 2008. Hartimi i këtyre ligjeve dhe pastaj kalimi në Kuvend, është një e arritur mjaft e madhe për një kohë kaq të shkurtër”
, theksoi Saran.

Ndryshe, në analizën e Institutit GAP, thuhet se dy muaj para shpalljes së pavarësisë, më 12 dhjetor 2007, Qeveria e Kosovës, me një vendim pati obliguar ministritë që të zbatojnë procedurë të veçantë të ofruar nga Zyra Civile Ndërkombëtare për hartimin e ligjeve në kuadër të Pakos së Ahtisarit.

Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës kishte suspenduar procedurat e hartimit të ligjeve siç parashihet në Rregulloren e Punës së Qeverisë.

Nga ana tjetër, edhe ish-deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se ligjet që kanë dalë nga Pakoja e Ahtisarit janë miratuar shpejt. Ata vlerësojnë, po ashtu, se ato ligje nuk janë as kualitative.

Ibrahim Makolli, nga Aleanca Kosova e Re, konsideron se ligjet, të cilat janë miratuar me procedurë të shpejtë, duhet të rikthehen për shqyrtim. Ai, madje, pohon se edhe Kushtetua, si akti më i lart ligjor i Kosovës, duhet të amandametohet.

“Tash këto ligje do të duhej të riktheheshin edhe një herë në rishqyrtim në grupet e interesit, shoqëria civile etj., në mënyrë që të miratohen në mënyra të rregullta”
, u shpreh Makolli.

Institucionet e Kosovës, gjatë kohës së miratimit të ligjeve nuk kanë pasur shumë hapësirë për të diskutuar, thotë ish-deputeti i Kuvendit, Hydajet Hyseni, nga Partia Demokratike të Kosovës.
Ç’është e vërteta, me Pakon e Ahtisarit dhe me ligjet e Ahtisarit, ne ia kemi lidhur duart
vetvetes...

Sipas Hysenit, Kosova ka qenë e kushtëzuar me ligjet e Pakos së Ahtisarit në mënyrë që të arrihet pavarësia e vendit.

“Është përgjegjësi e gjithë shoqërisë, veçanërisht do të thosha përgjegjësi e atyre që e kanë imponuar. Ato ligje kanë qenë të imponuara. Ç’është e vërteta, me Pakon e Ahtisarit dhe me ligjet e Ahtisarit, ne ia kemi lidhur duart vetvetes dhe tani do ta paguajmë. Për mendimin tim, pa injoruar arsyet që kanë çuar në atë klimë që të miratohej, ajo konsiderohej si një kusht për të pasur atë që dëshironim - pavarësinë”,
deklaroi Hyseni.

Instituti për Studime të Avancuar GAP, në analizën e tij, mes tjerash rekomandon që ligjet, të cilat kanë nevojë për plotësime dhe ndryshime, duhet të kalojnë procedurat e rregullta të hartimit dhe të miratimit.

Ndërsa, sipas tyre, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk duhet të imponojë procedura të veçanta të vendimmarrjes në këto ligje.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG