Ndërlidhjet

logo-print

Raporti i Martit vështirëson dialogun


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Rezoluta e Këshillit të Evropës e bazuar në raportin e Dik Martit, do të ketë implikime edhe në dialogun e ardhshëm Kosovë – Serbi, thonë përfaqësues politikë në Prishtinë. Ndërsa, zyrtarë të qeverisë në largim, megjithatë mbeten pranë pozicionit për bisedime teknike me Beogradin, përfaqësues të partive politike thonë se pozicioni i palës kosovare tani është më i disfavorshëm.


Raporti i Dik Martit i shndërruar në Rezolutë të Këshillit të Evropës, vlerësohet se mund të ketë efekte dhe implikime edhe në dialogun e ardhshëm Prishtinë - Beograd.

Zyrtarë të qeverisë në largim thonë se raporti i Martit është i njëanshëm dhe me tendenca të efekteve negative politike për Kosovën. Por, megjithatë, vlerësojnë se bisedimet me Serbinë pritet të jenë të nivelit teknik, përderisa përfaqësues të subjekteve tjera politike thonë se Rezoluta e Këshillit të Evropës sikur e ka pamundësuar fillimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Sidoqoftë, zëdhënësi i qeverisë në largim, Memli Krasniqi, thotë se për bisedimet e Kosovës me Serbinë ende nuk ka ndonjë datë konkrete. Kurse vetë dialogu, nënvizon ai, parashihet të jetë i natyrës teknike.

Pala kosovare, thotë Krasniqi, në kuadër të agjendës së saj evropiane ka thënë se do të zhvillojë dialog për çështje teknike që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të saj.

“Në asnjë mënyrë Serbia nuk mund të pretendojë që të krijojë favore, apo të shfrytëzojë situata të caktuara në raport me Kosovën, sepse historikisht Serbia është humbëse dhe humbëse mbetet. Por, ne do t’i lëmë anash çështjet politike, sepse ky nuk është dialog politik, është dialog teknik”,
thekson Krasniqi.

Ndërkohë, ish-deputeti legjislaturës së kaluar, Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e Re, thotë se raporti i Martit i shndërruar në Rezolutë të Këshillit të Evropës e bën të pamundur fillimin e çfarëdo dialogu Kosovë - Serbi.

Makolli thekson se para çdo dialogu, duhet kërkuar fillimisht një hetim të pavarur për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe se një hetim i tillë, nënvizon ai, i shkon shtati Kosovës.
Pasi që të vërtetohet se kush ka kryer krime në Kosovë, atëherë mund të mendohet për hapa të mëtutjeshëm.


“Pasi që të vërtetohet se kush ka kryer krime në Kosovë, atëherë mund të mendohet për hapa të mëtutjeshëm. Kosova nuk ka asnjë arsye që t’i frikësohet një hetimi të pavarur ndërkombëtar, përkundrazi Kosova është dhe duhet të jetë më e interesuara që njëherë e përgjithmonë të zbardhen krimet e luftës në Kosovë, sepse Kosova dhe populli shqiptar kanë qenë viktima të krimeve dhe gjenocidit të shkaktuara nga regjimi i Millosheviqit”,
shprehet Makolli.

Hyrja në bisedime me pozicionin aktual pas raportit të Martit, sipas Makollit, e dobëson shumë pozicionin e Kosovës, andaj edhe nuk preferon që ky dialog të niset pa u sqaruar akuzat e bëra në raport, përkatësisht tani në rezolutë.

Pranimi i palës kosovare që të hyjë në dialog me Serbinë në kohën kur në një formë ose tjetër gjendemi në bankën e të akuzuarve në vend që të jemi ata që kërkojmë llogari për të gjitha krimet që na janë shkaktuar, natyrisht që Kosovën e vë në pozitë të disfavorshme. Kësisoj, as që mund të pritet që ato bisedime të mundshme të kenë sukses, sepse paraprakisht ka një paragjykim që Kosova dhe shqiptarët kanë kryer krime lufte”, thekson Makolli.

Akuzat e shprehura në raportin e Dik Martit për kidnapime dhe trafik organesh mund të jenë një barrë e madhe mbi supet e palës kosovare para dialogut me Beogradin, thotë në anën tjetër, njëri nga përfaqësuesit e serbëve, Ranxhel Nojkiq.

“Beogradi do të insistojë në vazhdimësi që të hetohen deri në fund të gjitha akuzat në raportin e Dik Martit, kurse Prishtina verbalisht do të mbështesë nisjen e hetimeve, por njëkohësisht edhe do të mundohet të ngadalësojë zbulimin e detajeve nga ky raport”
, thotë Nojkiq.

Sipas tij, pas Rezolutës së adoptuar nga Këshilli i Evropës, Beogradi e pret i relaksuar këtë dialog, përderisa Prishtina do të mundohet ta shtyjë nisjen e tij.

Sidoqoftë, i mbetet edhe qeverisë së ardhshme të Kosovës që të marrë një pozicion në raport me bisedimet me Serbinë, marrë parasysh se qeveria aktuale është në dorëheqje dhe është deklaruar disa herë se nuk ka mandat që të nisë procese të tilla bisedimesh.

Lexoni edhe këto:

Miratimi i raportit, hap që dëmton Kosovën
EULEX-i nuk i nis hetimet pa dëshmi konkrete
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG