Ndërlidhjet

Sektori joqeveritar shqiptar në Shkup ka organizuar një tubim simbolik para Ambasadës së Shqipërisë kundër protestave të dhunshme të Partisë Socialiste më 21 janar, duke shprehur bindjen se në këtë moment shqiptarëve nuk u nevojiten protesta, aq më pak me elemente dhune, por një unifikim që do të ndihmonte shtytjen e proceseve para.

“Ne, përfaqësuesit e shoqërisë civile shqiptare në Maqedoni јemi tubuar sot para Ambasadës së Shqipërisë në Shkup, për të shprehur ngushëllimet tona më të sinqerta për viktimat e demonstratave të dhunshme të 21 janarit në Tiranë dhe për të dënuar njëkohësisht në mënyrën më të ashpër, dhunën e shfaqur në Bulevardin krenar të Dëshmorëve, që ranë për një Shqipëri me të cilën të gjithë shqiptarët do të krenoheshin”,
ka deklaruar kryetari i Lëvizjes Qytetare “Zgjohu”, Artan Grubi, në emër të sektorit civil shqiptar në Maqedoni.

Grubi nënvizoi më pas se dhuna e ndodhur më 21 janar është e papranueshme për të gjithë shqiptarët, kurse shprehu përkrahje të fuqishme për forcat e rendit dhe institucionet e shtetit shqiptar.

“Ne duam një Shqipëri anëtare fuqiplotë të NATO-s, duam një Shqipëri me rrugë të Kombit dhe rrugë të arbërit, një Shqipëri pa kufi me Evropën, por edhe me Maqedoninë dhe Kosovën. Duam një Shqipëri përfundimisht në BE”
.

“Aferat korruptive, parregullsitë zgjedhore, pakënaqësitë dhe çfarëdo tjetër që ndodh, në asnjë mënyrë nuk e justifikon dhunën që ka dhunuar liberalizimin e vizave dhe po e bën të pamundur marrjen e vendimit për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Imazhi i shqiptarëve gjithandej buron nga Tirana zyrtare dhe skenat e 21 janarit shkundën themelet e shqiptarëve, kudo qofshin, duke dobësuar pozicionet tona, të cilat po sulmohen çdo ditë e më ashpër”
, ka theksuar Grubi.

Lëvizja Zgjohu e përkrahur nga kompania panshqiptare “GEMAK”, ka vendosur që të shpërblejë policin Amarildo Yzeri me një shumë simbolike prej 300 eurosh dhe me një flamur kombëtar për guximin dhe dashurinë e tij për flamurin kuq e zi.
XS
SM
MD
LG