Ndërlidhjet

Maqedoni: Beteja për lirinë e fjalës


Logo e Televizionit A1.

Logo e Televizionit A1.

Redaksia e Televizionit A1 si dhe tri gazetat e përditshme: “Koha e Re”, “Shpic” dhe “Vreme”, kanë marrë vendim, nga mbrëmja e kaluar, që të emitojnë program, gjegjësisht t`i përgatisin gazetat në rrugë para qeverisë.

Ky veprim, siç thuhet, ndodh në shenjë revolte pas vendimit të gjykatës së Shkupit për mbylljen e llogarive bankare të këtyre mediave, të cilat kanë lidhmëri me rastin “Rrjeti i merimangës”, ku u arrestuan 14 persona, në mesin e të cilëve dhe pronari i Televizionit A1, Velija Ramkovski.

Çdo përpjekje për të mbyllur mediat, është një goditje e rëndë për demokracinë si dhe lirinë e shprehjes - kështu e ka cilësuar vendimin e gjykatësit hetues për bllokimin e llogarisë bankare të televizionit të parë privat në Maqedoni A1 Instituti Maqedonas për Media.

"Ne jemi të vetëdijshëm që kryehen hetime rreth dyshimeve se pronari i A1 ka shkeluar ligjin, por u bëjmë apel të gjitha institucioneve, të cilat janë të autorizuara të veprojnë në zbatimin e këtij akti, duke respektuar sundimin e së drejtës, të mundësojnë funksionimin normal të këtyre katër mediave", ka theksuar Bilana Petkoska, drejtoreshë e Institutit Maqedonas për Media.

Të punësuarit në Televizionin A1 thonë se do ta vazhdojnë betejën për lirinë e fjalës dhe të demokracisë. Në ditët e ardhshme, programi televiziv do të transmetohet drejtpërdrejt para godinës së qeverisë.

"Qëllimi ynë është të mos heshtim, të mos lejojmë të ngufatet shprehja e lirë... Unë jam i bindur se ky instrument, me të cilin shërbehet pushteti, nuk është asgjë, veçse përpjekje për ta heshtur mediumin tonë dhe pamundësuar punën e gazetarëve", është shprehur Mlladen Çadikovski, kryeredaktor i Televizionit A1.

Qeveria e Maqedonisë, përmes një deklarate me shkrim, ka bërë të ditur se ekzekutivi nuk ka miratuar asnjë vendim, në bazë të të cilit do të efektohej ngrirja e pronës së Televizionit A1.

Në komunikatë theksohet se vendimi për bllokimin e llogarisë së mediave që kanë lidhmëri me rastin “Rrjeti i merimangës”, është përgjegjësi e gjyqit, i cili është institucion i pavarur.

Por, Aladin Demiri, ligjërues i shkencave politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, vlerëson se ky rast flet qartë për nivelin e demokracisë në vend.

“Me këtë, kryeministri Gruevski tregon se mund të eliminojë çdo kundërshtar të vetin, edhe atë me shumë sukses. Do të thotë, i vë në shërbim të vetin të gjitha instrumentet, si: gjyqësori, prokuroria, hetuesia dhe kontrolli shtetëror”,
thotë Demiri.

Sipas ligjeve ekzistuese, Televizioni A1 ka të drejtë të punojë me llogari të bllokuar 45 ditë. Prokuroria, në dyshimet e para të ngritura, akuzon pronarin e TV A1 dhe bashkëpunëtorët e tij se nuk kanë paguar tatimet ndaj shtetit me një vlerë prej 5 milionë eurosh dhe se me këtë kanë dëmtuar shtetin.

Pronari i TV A1 dhe bashkëpunëtorët e tij u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar, pas ndërhyrjes së policisë në ambientet e këtij televizioni dhe pas akuzës së ngritur për fshehje tatimesh, keqpërdorime financiare dhe dëme të tjera, siç u theksua, në dëm të shtetit.
XS
SM
MD
LG