Ndërlidhjet

logo-print

Qeveri shumëpërfshirëse e shumetnike


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi, përsëriti zotimin e tij se do ta formojë qeverinë e re brenda afatit kushtetues-ligjor. “Qeveria e ardhshme do të jetë shumëpërfshirëse dhe shumetnike”, tha Thaçi. Ndërkohë, subjektet tjera politike thonë se nuk kanë marrë ende asnjë ofertë nga PDK-ja, si partia fituese e zgjedhjeve.


Formimi i një qeverie me më shumë parti politike në koalicion duket të jetë qëllimi i shumicës së subjekteve politike në Kosovë. Mirëpo, dallimi qëndron te formula e ardhshme qeverisëse.

Partia Demokratike e Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, thotë se do të formojë një qeveri shumëpërfshirëse e shumetnike, por në të cilën nuk parashihen si pjesë e saj Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Kurse, formula rezervë e LDK-së, e cila në bazë të Kushtetutës vjen në shprehje vetëm nëse partia e parë dështon në formimin e qeverisë, ka të bëjë me një qeveri gjithëpërfshirëse, ku do të bënin pjesë të gjitha partitë në parlament dhe e cila do të kishte si mandat reformat e shpejta zgjedhore dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në deklarimet e tij në lidhje me formulën e ardhshme qeverisëse, kryeministri në dorëheqje dhe lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, u zotua se do ta formojë pa vonesa qeverinë e ardhshme, e cila, sipas tij, do të jetë shumetnike dhe shumëpërfshirëse

“Do të jetë një formulë e vullnetit të qytetarëve të Kosovës dhe e orientimit politik për Kosovën evropiane e euroatlantike. Pra, një qeveri shumëpërfshirëse dhe gjithetnike. Do të formohet qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit brenda një periudhe të afatit të rregullt kohor, kushtetues e ligjor”, deklaroi Thaçi.

Kur lideri i PDK-së flet për një qeveri me shumë parti politike në koalicion, në analiza të ndryshme zakonisht lakohet emri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Mirëpo, sekretari i saj i përgjithshëm, Burim Ramadani, tha se AAK-ja nuk ka pasur asnjë ofertë deri më tani për një koalicion me PDK-në, përderisa përsëriti qëndrimin e partisë se Kosova ka nevojë për një qeveri të treshes PDK-LDK-AAK.

“Deri më tash, nuk kemi pasur ofertë nga partia fituese e zgjedhjeve. Ajo që ne kemi dhënë si ide për debat në opinion, ka qenë qeveria gjithëpërfshirëse ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, e cila do ta stabilizonte vendin dhe po ashtu do ta përfaqësonte Kosovën për interesat madhore shtetërore. Ndërkaq, për pjesën tjetër, do të përgatiste procesin e ri zgjedhor”, u shpreh Ramadani.

Zyrtarë të LDK-së sot nuk i kanë komentuar idetë rreth formulave të ardhshme qeverisëse, përderisa AAK-ja, sipas Burim Ramadanit, beson se një qeveri që do të ndërtohej nga PDK, LDK dhe AAK do të formohej vetëm për interesin e shtetit.

“Këto tri parti janë shtylla të skenës politike në Kosovë dhe si të tilla i kemi pa të domosdoshme ose tepër të rëndësishme që të jenë në një qeverisje të përbashkët për të stabilizuar vendin. E tërë kjo për shkak të interesit shtetëror. Përndryshe, Aleanca në këtë konsolacion do të ishte më e vogla dhe do të kishte më së paku përfitime”, theksoi Ramadani.

Duke folur për ofertat konkrete, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, ka preferuar që të përmbyllet i gjithë procesi zgjedhor dhe certifikimi i rezultateve, e më pastaj të nisin zyrtarisht negociatat për qeverinë e re.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG