Ndërlidhjet

Obama apelon kundër dhunës në Egjipt


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, u ka bërë thirrje autoriteteve egjiptiane të përmbahen nga përdorimi i dhunës ndaj demonstruesve paqësorë, që protestojnë kundër sundimit të presidentit Hosni Mubarak.

Përmes një deklarate, Obama tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të angazhohen për të drejtat e njeriut në Egjipt, përfshirë të drejtat për fjalën e lirë dhe tubimin paqësor.

Presidenti amerikan tha se ka folur me telefon me homologun egjiptian dhe ka kërkuar nga ai të ndërmarrë “veprime konkrete” për realizimin e reformave demokratike dhe ekonomike.

Egjipti është një nga aleatët më të vendosur të Uashingtonit në Lindjen e Mesme dhe një nga përfituesit kryesorë të ndihmës amerikane.
XS
SM
MD
LG