Ndërlidhjet

logo-print

6 të sëmurë nga virusi; çka po ndodh me Tamiflu-në?


Tamiflu

Tamiflu


Aktualisht, gjashtë persona të prekur me virusin A/H1N1 janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kurse tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë për Radion Evropa e Lirë se situata tashmë është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik.

”Mund të themi se nuk ka shpërthim epidemik, mirëpo ne jemi në përcjellje të të gjitha rasteve, por nuk ka panik në popullatë, sepse janë vetëdijesuar se tashmë edhe ky grip i takon gripit të zakonshëm sezonal”, thotë Ramadani.

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Por, sa po vaksinohen qytetarët me vaksinën kundër gripit të derrave? Ata më shumë parapëlqejnë vaksinën kundër gripit sezonal. Sellma Dibra, qytetare, tregon:

”Çdo vit vaksinohem me vaksinë kundër gripit sezonal, por as vitin e kaluar e as këtë vit nuk jam vaksinuar kundër gripit të derrave. Unë mendoj se njerëzit kanë hezituar ta marrin këtë vaksinë, sepse nuk ka qenë e qartë puna e kësaj vaksine, e as e medikamenteve, me të cilat trajtohet gripi i derrave”.

Zyrtarët shëndetësorë bëjnë të ditur se aktualisht medikamenteve, me të cilat trajtohen pacientët e prekur me gripin e derrit, u ka kaluar afati i përdorimit qysh vitin e kaluar.

Por, përfaqësues të OBSH-së në Kosovë thonë se nuk është për t’u shqetësuar fakti i skadimit të datës së medikamentit Tamiflu.

Sipas Skënder Sylës, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Agjencia Evropiane për Produkte Medicinale, ka marrë një vendim që medikamentet e tilla të shfrytëzohen edhe për një kohë, edhe pse afati i përdorimit ka skaduar.

”Tamiflu është bari që jepet kur personi preket me grip dhe ato që kanë ardhur, qoftë si donacion apo të blera nga organet përkatëse, iu është shtyrë afati i përdorimit, pasi ju ka dalë afati në vitin 2010".

"Një vendim të tillë e ka marrë Agjencia Evropiane për Produkte Medicinale, dhe kjo është e drejtë e secilit shtet dhe agjencive që merren me produkte medicinale apo barna. OBSH- ja nuk merret me këtë çështje, por vetëm respekton vendimin e agjencive profesionale që merren me këtë”
, shpjegon Syla.

Por, zoti Ramadani nuk përmend çështjen e afatit të përdorim të Tamiflusë, derisa shton se pacientët e shtrirë në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar me Tamiflu.

“Të gjitha rastet e shtrira në klinikë janë duke u trajtuar me Tamiflu, i cili tashmë ka shfaqur një efekt të konsiderueshëm derisa vaksina ka në sasi të mjaftueshme dhe njerëzit, varësisht prej dëshirës, vaksinohen ose jo”, thekson Ramadani.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i rasteve të prekura me gripin pandemik A/H1N1, i njohur ndryshe edhe si gripi i derrit, tashmë ka arritur në 83.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG