Ndërlidhjet

logo-print

Nisin hetimet preliminare, Marti s’dërgon prova


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

EULEX-i ka nisur hetime preliminare mbi dyshimet për trafikim organesh të bëra në raportin e Martit. Por, misioni insiston që të sjellë faktet dhe dëshmitë, përndryshe thotë se nuk mund të ketë ndjekje penale. Prokuroria e Kosovës nuk e pohon e as mohon përfshirjen në fazën e parë të hetimeve, por thotë se prokurorët kosovarë janë të gatshëm të merren me këtë çështje. Qeveria kishte deklaruar se është e hapur për bashkëpunim.


Misioni evropian për sundimin e ligjit, ka nisur hetimet e para në lidhje me dyshimet për trafikim organesh të ngritura në raportin e Dik Martit, raport ky që u shndërrua në rezolutë të Këshillit të Evropës të martën e kaluar.

Vetë EULEX-i, pas miratimit, kishte thënë se nuk do t’i nisë hetimet pa pasur dëshmi dhe fakte konkrete. Por, në EULEX thonë se ende nuk i kanë marrë këto prova. Hetimi preliminar, sipas zyrtarëve atje, kthehet në zyrtar, vetëm nëse gjatë këtij hetimi provohet se ka pasur me të vërtetë heqje organesh dhe, po ashtu, identifikohen të pandehurit.

Por, vetë Dik Marti ka shprehur dyshimin se misioni evropian mund të kryejë në mënyrë të pavarur hetimet.

Zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, heq dilemat për këtë.

“E rëndësishme për EULEX-in është që shtetet e BE-së, të 27-at, Shqipëria dhe Kosova janë shprehur haptazi që EULEX-i është i vetmi mekanizëm që do ta hetojë këtë rast”,
thotë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Krasniqi.

Misioni evropian përmes një letre i ka kërkuar Martit që t’i ofrojë dëshmitë në lidhje me dyshimet për trafikim organesh në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë kohës së luftës.

Marti, i cili ka ngritur dyshimet se në trafikim me drogë, armë dhe organe njerëzore, ka qenë i përfshirë edhe kryeministri Hashim Thaçi, nuk i ka kthyer ende përgjigje EULEX-it, ndërsa vazhdimisht hedh dyshime mbi këtë mision dhe drejtësinë kosovare.

Prokurorët kosovarë janë të gatshëm të hetojnë. Por, zëvendësprokurorja e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina, nuk mohon e as pohon përfshirjen në hetimet fillestare.
Prokurorët tanë janë të gatshëm të punojnë në këtë rast dhe janë të përgatitur
profesionalisht.


“Prokurorët tanë janë të gatshëm të punojnë në këtë rast dhe janë të përgatitur profesionalisht. A do të jenë a jo (të përfshirë në hetime fillestare), nuk mund të them”
, shprehet zëvendësprokurorja në PRSK, Sevdije Morina.

Autoritetet në Kosovë, miratimin e rezolutës që ka për bazë raportin e Dik Martit, e kanë parë si një hap që dëmton Kosovën. Megjithatë, ekziston bindja se përmbyllja e këtij rasti nga ana e drejtësisë është në të mirë të Kosovës.

Ministri në largim, Enver Hoxhaj, thotë se qeveria do të jetë e hapur për bashkëpunim.

“Qeveria do të jetë e hapur që të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in, dhe bashkëpunimi do të varet mbi të gjitha prej asaj që ne çdo gjë që kemi, do ta ofrojmë në dispozicion, por në të njëjtën kohë ftojmë zotin Marti që nëse ka fakte dhe evidencë konkrete, këto t’ia ofrojë EULEX-it dhe kjo çështje njëherë e përgjithmonë të përmbyllet dhe të ketë qartësi”
, thotë Hoxhaj.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, EULEX-i u bën thirrje të gjitha organizatave dhe individëve përkatës, duke përfshirë Dik Martin, që t’i paraqesin të gjitha dëshmitë që kanë në lidhje me akuzat e rënda.
Pa dëshmi nuk mund të bëhet ndjekja penale.

“Ne i kuptojmë shqetësimet lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve në rajon, por kemi besim të plotë në njësinë tonë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Përvoja tashmë ka treguar se ajo është në gjendje që të merret me rastet e profilit të lartë dhe të ndjeshme
”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

“Si një mision për sundimin e ligjit, ne punojmë në bazë të fakteve dhe dëshmive. Pa dëshmi nuk mund të bëhet ndjekja penale. Nëse e pranojmë këtë lloj të informatave, prokurorët tanë janë të gatshëm ta nisin punën menjëherë”,
thekson misioni evropian për sundimin e ligjit.

Lexoni edhe këto:

EULEX-i nuk i nis hetimet pa dëshmi konkrete
Miratimi i raportit, hap që dëmton Kosovën

Trego komentet

XS
SM
MD
LG