Ndërlidhjet

Partitë devijuan procesin zgjedhor


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit nuk ishin zgjedhje të lira, e as demokratike, vlerësojnë ekspertët e proceseve zgjedhore në Kosovë.

Ata thonë se partitë politike nuk deshën zgjedhje të lira, por deshën të fitojnë me çdo kusht.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zaid Xhemaili, thotë se asnjë institucion i vendit, nuk mund të krenohet me procesin zgjedhor, i cili sapo ka përfunduar.

Siç shprehet Xhemaili, as institucionet, të cilat do të dalin nga këto zgjedhje, nuk mund të konsiderohen si legjitime.
Aktorët kryesorë, subjektet politike, nuk punuan për zgjedhje të lira e demokratike.


“Aktorët kryesorë, subjektet politike, nuk punuan për zgjedhje të lira e demokratike. Përkundrazi, ato ishin të interesuara që me çdo kusht t’i fitojnë zgjedhjet, me të drejtë dhe pa të drejtë, me manipulime të llojeve të ndryshme. Prandaj, dolën në sipërfaqe gjithë ato parregullsi që sot janë të pranishme”,
thotë Xhemaili.

Ndërsa, Adnan Merovci, ish-kryeshef i KQZ-së, thotë se zgjedhjet e fundit në vend nxorën dy komponentë: atë të manipulimit dhe mungesës së një ligji të duhur për zgjedhjet.

“Është çështje e parregullsive, manipulimeve, abuzimeve që dolën. Dhe, megjithatë u identifikuan, u trajtuan, u apeluan dhe u gjykuan. Në fund, si aktivitet, në përgjithësi, mendoj se ishte me një notë kaluese. Po, kjo komponentë, më vete reflekton ose pasqyron komponentin e dytë, që në këtë rast është vetë mungesa e një kodi të mirëfilltë zgjedhor”, vlerëson Merovci.

Ndryshimi i legjislacionit për zgjedhje dhe zbatimi i tij, si dhe ngritja e përgjegjësisë politike nga ana e partive garuese në zgjedhje, janë disa nga veprimet e domosdoshme që duhet të ndërmerren në Kosovë, thekson për Radion Evropa e Lirë eksperti Merovci.
...Ligji zgjedhor duhet të ndryshohet, kurse abuzimet dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur, më nuk do të ndodhnin.

“Mangësitë dhe dobësitë e ligjit zgjedhor i kanë shkaktuar të gjitha këto shkarje, si në aspektin e kohës, si në aspektin e parregullsive dhe abuzimeve të ndryshme. Thënë më shkurt, më qartë, Ligji zgjedhor duhet të ndryshohet, kurse abuzimet dhe keqpërdorimet që kanë ndodhur, më nuk do të ndodhnin. Pra, për këtë arsye shumë çështje kanë rrjedhë nga burimi dhe ky është Ligji zgjedhor”
, thekson Merovci.

Edhe eksperti Xhemaili pohon se pos ndryshimeve rrënjësore që duhet të bëhen në Ligjin për zgjedhjet, sipas tij, edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të jetë një organ i pavarur dhe nuk duhet të ndikohet nga partitë politike.

“Ligji ka mjaft mangësi. Ai duhet pësuar ndryshime të mëdha. Unë e kam e kam thënë që komisioni duhet të jetë një organ profesional i pavarur plotësisht, kurrsesi organ, i cili është i ndikuar nga partitë politike dhe i përfaqësuar nga anëtarët e partive politike, sepse asnjë nga ta nuk është i interesuar që ta zbatojë ligjin, përkundrazi secili mundohet t’i zbatojë interesat e veta”,
pohon Xhemaili.

Zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë, sipas vëzhguesve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë, u karakterizuan me parregullsi të shumta, procese të numërimit, rinumërimit dhe auditimit të votave të rinumëruara.
XS
SM
MD
LG