Ndërlidhjet

1406 aksidente trafiku në janar


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Numri i aksidenteve në komunikacion, vetëm gjatë muajit janar të këtij viti, ka arritur në 1406, bëjnë të ditur zyrtarë policorë. Sabrie Kamberi, zëdhënëse në Policinë e Kosovës, thotë se deri tani janë raportuar 5 aksidente me fatalitet.

”Policia e Kosovës bën patrullimin, jo vetëm nga njësitet patrulluese, por edhe njësitë e trafikut janë në rrugë duke bërë patrullimin ditor, në mënyrë që t’i shmangim aksidentet, sepse vetëm një humbje e një jete është shumë shqetësuese për policinë dhe gjithë qytetarët e Kosovës”
, thotë Kamberi.

Në anën tjetër, Basri Lenjani, drejtor i Qendrës Emergjente, thotë se çdo natë në këtë qendër frekuentojnë rreth 16 persona të aksidentuar.

Lenjani shpreh shqetësimin e tij duke apeluar tek institucionet relevante që të merren me këtë çështje më seriozisht, duke e marrë parasysh numrin shumë të madh të vdekjeve të personave nga aksidentet në komunikacion.

”Shpresojmë që të mos përsëritet fati i vitit të kaluar, duke e marrë parasysh që numri i të vdekurve ka qenë shumë i madh në aksidentet rrugore dhe ky mund të llogaritet si një shqetësim për qytetarët e Kosovës. Numri i të lënduarve është në rritje e sipër çdo ditë”
, shprehet Lenjani.

Por, Sabrie Kamberi thotë se gjithherë Policia e Kosovës është marrë me fushata vetëdijesuese, duke e marrë parasysh numrin e madh të rasteve të aksidentuara.

”Kemi bërë edhe fushata të ndryshme të përkrahura nga organizata ndërkombëtare, në mënyrë që të ngremë vetëdijen e ngasësve të automjeteve dhe, në përgjithësi, të gjithë pjesëmarrësve në trafik. Ne, si Polici e Kosovës, kemi bërë apele të vazhdueshme te ngasësit që t’i kenë pajisjet e tyre me vete në sezonet e caktuara dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike dhe rrugore”, thekson Kamberi.

Ndërkaq, Basri Lenjani shton se numri i raportuar i të vdekurve në aksidente nuk është real dhe, siç thotë ai, gjendja në terren qëndron ndryshe.

”Numri i të vdekurve në aksidentet rrugore, sipas disa informacioneve që ne i kemi, ka arritur mbi 500 persona dhe ky mund të llogaritet si një shqetësim për qytetarët e Kosovës”,
shton Lenjani.

Vetëm gjatë vitit 2010, sipas Lenjanit, në Qendrën Emergjente kanë kërkuar ndihmë 3800 raste të aksidentuarish, derisa 26 kanë prej tyre kanë vdekur vetëm në këtë qendër.
XS
SM
MD
LG