Ndërlidhjet

Opozita mbështet El Baradein, fton 1 milion njerëz në Kajro

  • RFE /RL

Mohamed el Baradei

Mohamed el Baradei

Protestat në Egjipt kundër regjimit të presidentit Hosni Mubarak sot hynë në ditën e shtatë, ndërkohë Shtetet e Bashkuara bënë thirrje për “tranzicion të rregullt” drejt një qeverie të re.

Policia e Egjiptit, e cila në 48 orët e fundit nuk ka qenë e pranishme në rrugë, të hënën u shpërnda në mbarë vendin.

Helikopterët fluturuan mbi kokat e protestuesve, ndërsa tanket u pozicionuan në qendër të Kajros për t’i mbajtur makinat larg sheshit Tahrir, i cili u bë pikë grumbullimi për demonstratat, që lanë të paktën 125 të vdekur.

Një numër i kufizuar i policëve i mbështeti trupat e ushtrisë në hyrje të sheshit. Por, korrespondentët thonë se policia nuk u vërejt shumë pas lutjeve të mesditës dhe nuk u konfrontua me mijëra njerëzit, që po shkonin drejt sheshit.

Ndërkohë, drejtuesit e protestave e kanë rritur trysninë ndaj regjimit të Mubarakut, duke bërë thirrje për grevë të përgjithshme pa afat dhe marshimin e “një milion njerëzve” të martën në Kajro.

Lideri reformator dhe laureat i Çmimit Nobel për Paqe, Mohamed el Baradei, ish- kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, i cili u kthye në Kajro të enjten, iu bashkua turmës mbrëmë në sheshin Tahrir, duke u thënë egjiptianëve se janë në “rrugën e duhur” drejt një “Egjipti të ri”, ku çdo qytetar do të jetojë i lirë dhe me dinjitet.

“Erdha këtu sot t’u bashkohem në ditën më të lumtur të jetës sonë. Sot mund ta shoh secilin nga ju në sy. Sot, si egjiptianë, ju i morët të drejtat tuaja për jetë dhe liri. Ajo që ka filluar, nuk kthehet dot prapa. E kemi thënë edhe më parë, kemi vetëm një kërkesë kryesore: fundin e regjimit dhe fillimin e një kohe të re”,
tha El Baradei.

Mohamed el Baradei doli si figurë e rëndësishme opozitare gjatë fundjavës pasi kundërshtarët tjerë të regjimit të Mubarakut formuan një komitet për të negociuar me armatën, fuqia e së cilës shihet kritike për të forcuar hovin politik në favor të Mubarakut, apo të protestuesve.

Grupi më i madh opozitar, Vëllazëria Myslimane, tha se e mbështet El Baradein si anëtar i këtij komiteti negociator.

Liderët e Vëllazërisë Myslimane, Esam al-Erian dhe Saad el-Katani, të cilët u arratisën nga burgu të dielën pasi gardianët e braktisën burgun, gjithashtu iu drejtuan turmës në sheshin Tahrir, duke u zotuar se “revolucioni i popullit” do të mbetet “i qëndrueshëm pavarësisht se sa martirë do të bien”.

Ndërkaq, mbeten të paqarta synimet e gjeneralëve kryesorë të armatës, të cilët u takuan me Mubarakun të dielën. Shumë protestues e përshëndetën praninë e ushtarëve në rrugë.

Disa trupa, të paktën ato të nivelit të ulët, mund të shihen se si kanë vënë parulla në autoblinda dhe e kanë shpallur veten “mbrojtës të popullit egjiptian”. Shumica ndërkohë u përpoqën t’i heqin grafitet kundër Mubarakut, të cilat protestuesit i kishin vizatuar në makinat e ushtrisë.

Në Uashington, të shqetësuar për të ardhmen e marrëveshjes paqësore 30-vjeçare ndërmjet Egjiptit dhe Izraelit në rast të kolapsit të regjimit të Mubarakut, janë thirrur takime të jashtëzakonshme në Shtëpinë e Bardhë.

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, bëri thirrje për tranzicion të rregullt të pushtetit, por në disa intervista paralajmëroi se tranzicioni me gjasë nuk do të ndodhë brenda natës dhe pa pasoja të rënda për të gjithë që janë përfshirë.

“Tash është koha të lëvizet drejt një dialogu kombëtar, të ndërmerren hapa konkretë, të krijohet hapësirë politike për protesta paqësore dhe për krijimin e opozitave paqësore, që duan të ndihmojnë për të punuar drejt së ardhmes së mirë. Kjo është ajo që duam të shohim”
, tha Klinton.

Kryediplomatja amerikane tha se Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë insistuar se në Egjipt duhet të ketë zgjedhje të lira e të drejta dhe se Uashingtoni ende pret që ato të jenë një nga epilogu i trazirave.
XS
SM
MD
LG