Ndërlidhjet

logo-print

Ndryshimi i Kushtetutës - i nevojshëm


Flamuri i Republikës së Kosovës

Flamuri i Republikës së Kosovës

Ende pa u bërë tri vjet nga miratimi Kushtetutës së Kosovës, janë shtuar zërat që kërkojnë ndryshimin e saj. Akti më i lartë ligjor, i cili për bazë ka marrë Pakon e Ahtisarit, sipas ekspertëve, duhet të ndryshohet, me qëllim që të sanksionojë dhe verifikojë sovranitetin e shtetit të ri.

Ekspertët për çështje kushtetuese thonë se Kushtetuta aktuale e vendit ka shumë zbrazëti, që kanë mbetur për shkak të rrethanave, të cilat e kanë determinuar tekstin kushtetues.

Njëri nga anëtarët e Grupit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Fatmir Fehmiu, thotë se ndryshimet duhet të fillojnë sa më parë.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nxjerrë në rrethana të jashtëzakonshme dhe si e tillë, ajo e ka luajtur rolin e vet për këta tre vjet.


“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është nxjerrë në rrethana të jashtëzakonshme dhe si e tillë, ajo e ka luajtur rolin e vet për këta tre vjet. Por, ka edhe elemente, të cilat nuk sigurojnë për të ardhmen një zhvillim të mirëfilltë të zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë”.

“Prandaj, është tejet e nevojshme që ndryshimet të fillojnë sa më parë, duke pasur parasysh se tash jemi shtet i pavarur, sovran dhe me këtë Kushtetutë të sanksionohet dhe verifikohet sovraniteti dhe pavarësia e Republikës së Kosovës”,
thotë Fehmiu për Radion Evropa e Lirë.

Kushtetuta e Kosovës është një dokument, i cili më vete përmban shumë elemente politike, që e kanë çuar Kosovën drejt një pavarësie të mbikëqyrur, thotë profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami.

Bajrami, i cili, po ashtu, ka qenë anëtar i Grupit për hartimin e Kushtetutës, konsideron se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime, duke filluar nga vetë institucioni i presidentit të Republikës.

“Kushtetuta është e miratuar në një kontest politik të një marrëveshjeje ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës, dhe mendoj se këto kufizime të pavarësisë duhet kuptuar edhe një kohë si një ndihmesë për Kosovën, po në momentin e caktuar duhet të mundësohet që Kosova të ketë një kushtetutë plotësisht funksionale, pa elemente politike, me standarde vërtet evropiane, në mënyrë që demokracia jonë të jetë sa më funksionale”
, vlerëson Bajrami.

Sipas Bajramit, legjislatura e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, mund të bëjë ndryshime, por pa i prekur drejtpërdrejt çështjet kalimtare të Pakos së Ahtisarit.
Sa i takon ndryshimeve kushtetuese që nuk prekin Pakon e Ahtisarit, faktori ndërkombëtar nuk do të bëjë probleme...


“Sa i takon ndryshimeve kushtetuese që nuk prekin Pakon e Ahtisarit, faktori ndërkombëtar nuk do të bëjë probleme dhe do t’i certifikojë ato ndryshime, sepse së fundi këto janë çështje të qeverisjes së brendshme, p.sh mënyra se si do ta zgjedhim presidentin, apo me cilin sistem do t’i mbajmë zgjedhjet, janë çështje të brendshme që nuk kanë kurrfarë refleksioni ndërkombëtar”, shprehet Bajrami.

Eksperti Fatmir Fehmiu vlerëson se njerëzit, të cilët merren me të drejtën kushtetuese, duhet që në mënyrë të qetë të bëjnë një strategji për ndryshime.

Fehmiu thekson se Kushtetuta e re nuk duhet të ketë formula politike të papërfunduara.

Duhet të ketë gjuhën kushtetuese të saktë, edhe atë gjuhë kushtetuese, e cila nuk mund t’i lejojë dikujt që normat të interpretohen në mënyra të ndryshme dhe të krijohet konfuzion dhe paqartësi në jetën jo vetëm juridike, po edhe në jetën e përditshme praktike”, thekson Fehmiu.

Kushtetuta aktuale e Kosovës mund të ndërrohet me tri procedura, thonë ekspertët. E para - me një shumicë prej 2/3 të Kuvendit të Kosovës; pastaj me shumicën e dyfishtë. Dhe, faza e tretë - çfarëdo ndryshimi i Kushtetutës duhet të certifikohet nga prezenca civile ndërkombëtare.

Ndër problemet më të mëdha në zbatimin e Kushtetutës së Kosovës mbetet shtrirja e autoritetit në gjithë vendin. Institucionet vendore ende nuk po arrijnë të shtrijnë pushtetin e plotë, për shkak të funksionimit të strukturave paralele serbe, të mbështetura nga Beogradi.

Kushtetuta e Kosovës është miratuar më 9 prill të vitit 2008 dhe ka hyrë në fuqi më 15 qershor të po atij viti.

Lexoni edhe këtë:

Realiteti përballë shtetësisë së Kosovës
Kosova '08 - prej pavarësisë e deri tek EULEX-i
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG