Ndërlidhjet

Egjipt: Opozita shpreson të nxjerrë një milion protestues



Opozita në Egjipt u bëri thirrje një milion njerëzve të protestojnë sot kundër regjimit të presidentit Hosni Mubarak.

Armata dje i paralajmëroi qytetarët të mos plaçkisin, por u zotua se ushtarët nuk do të hapin zjarr ndaj demonstruesve paqësorë. Ushtria gjithashtu tha se e njeh “legjitimitetin” e kërkesave të protestuesve.

Nënpresidenti i sapoemëruar Omar Sulejman ka shpallur se presidenti Hosni Mubarak i ka kërkuar që të fillojë dialogun me frakcionet politike për reforma kushtetuese dhe të tjera. Më vonë, televizioni shtetëror raportoi se bisedimet kanë filluar.

Por mbështetësit e opozitës thonë se vazhdojnë të këmbëngulin se regjimi i Mubarakut duhet të largohet.

Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Mubarakut gjatë 30 vjetëve në pushtet, të hënën i bënë thirrje atij që të bëjë më tepër sesa të emërojë një qeveri të re.

Por Uashingtoni deri tash është përmbajtur nga komentet publike nëse Mubaraku duhet të mbetet apo të largohet nga pushteti.
XS
SM
MD
LG