Ndërlidhjet

SHBA: Balancim delikat ndaj Egjiptit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Uashingtoni duhet të zhvillojë një veprim të balancimit delikat në politikën e tij ndaj Egjiptit, derisa protestuesit anti-qeveri po kërkojnë dorëheqjen e njërit prej aleatëve arabë më të vendosur të Shteteve të Bashkuara.


Për Shtetet e Bashkuara, Egjipti është aleati arab më i afërt dhe partner në procesin e paqes ndërmjet izraelitëve e palestinezëve. Por, në anën tjetër, Mubaraku e ka sunduar këtë vend me grusht të hekurt për 30 vjet, duke i shtypur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, për të cilat Uashingtoni i fton aleatët që t’i mbrojnë.

Kjo është një politikë që Shtetet e Bashkuara e kanë pasur për një kohë të gjatë edhe me qeveritë e tjera autokratike në rajon, dhe kjo gjë reflekton politikën e udhëhequr nga frika dhe dëshira.

Frika ka të bëjë me destabilizimin rajonal, ndërsa dëshira për ta mbajtur ndikimin amerikan në rajon.

Frika ka të bëjë edhe nga ardhja e ekstremistëve islamikë në pushtet, ndërsa dëshira reflektohet edhe me mbrojtjen e Izraelit.

Shkrimtari Bruce Rutherford, autori i librit “Egjipti pas Mubarakut: Liberalizmi, Islami dhe Demokracia në botën arabe”, thotë se politikat e Shteteve të Bashkuara e kanë pasur çmimin e tyre në aspektin e respektit ndër arabët e reformuar.

Shtetet e Bashkuara sigurisht e kanë një hendek shumë të madh të kredibilitetit, kur kemi të bëjmë me çështjet e demokratizimit në botën arabe. Ne kemi folur për rëndësinë e demokracisë dhe të drejtave të njeriut për vite, por kur duhet bërë vendime praktike se me kë të punohet për arritjen e synimeve tona, ne pothuajse gjithnjë i kemi mbështetur autokratët, të cilët kanë shumë pak interes në demokraci”, thotë Bruce Rutherford.

Prej se filloi kriza në Egjipt, administrata e presidentit Barak Obama, i ka zgjedhur fjalët me kujdes, duke u përpjekur për ta kalibruar sasinë e nevojshme të distancës ndërmjet vetvetes dhe regjimit të urryer të Mubarakut.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestat, por kanë ftuar regjimin që të përgjigjet me hapa konkretë, në shqyrtimin e problemeve ekonomike, politike dhe sociale, që e kanë pllakosur Egjiptin.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka bërë disa paraqitje në media për ta forcuar këtë mesazh.

Duke folur në kanalin arab televiziv, Al-Xhazira, ajo është shprehur edhe për tri dekadat e kaluara në Egjipt.

“Rruga që ishte ndjekur, nuk ishte ajo që ka krijuar ardhmëri demokratike, mundësi ekonomike, që po kërkon populli në protestat paqësore”, ka thënë Hillari Klinton.

Në paraqitjen e saj në programin televiziv Meet the Press, ajo e ka vendosur pozicionin historik të Uashingtonit në anën e demokracisë:

“Mesazhi i Amerikës ishte konsistent. Ne dëshirojmë të shohim zgjedhje të lira dhe korrekte dhe presim se ky do të jetë njëri nga përfundimet e asaj që po zhvillohet tash”
.

Në vizionin e Shteteve të Bashkuara, duket se liria dhe reforma do të vijnë qetësisht e paqësisht, e jo pas rrahjeve dhe gazit lotsjellës në rrugë. Derisa numri i vrasjeve po shtohet, shtrohet pyetja: a ka menduar me të vërtetë Uashingtoni se regjimet e rajonit do ta lejojnë demokracinë pa luftë?

Vëzhguesit e Lindjes së Mesme pajtohen se ajo që po ndodh në Egjipt dhe në vendet e tjera nën regjimet autokratike në mbarë rajonin, ishin disi të pritura.

Këto vende janë me popullatë të madhe të të rinjve, por me pak mundësi për punësim, pastaj me varfëri, shtypje dhe korrupsion. E gjithë kjo ka krijuar një status-quo të paqëndrueshëm.

Aktualisht Egjipti është në protesta, në përpjekje për ta përmbysur regjimin, por askush nuk po e ndez flamurin amerikan në rrugët e Kajros.

Autori Bruce Rutherford thotë se nëse një qeveri e re e merr pushtetin, Uashingtoni mund ta gjejë vetveten në raporte më të zvogëluara me aleatin e tij të vendosur arab. Jo vetëm në Egjipt, por në mbarë rajonin, thotë Rutherford. (f. b.)
XS
SM
MD
LG