Ndërlidhjet

Kajro: Akuza policisë për dhunën


Kajro, 2 shkurt 2011.
Kajro, 2 shkurt 2011.
Në sheshin Tahrir dhe rreth tij në Kajro, kanë shpërthyer përleshjet ndërmjet demonstruesve anti-qeveritarë dhe mbështetësve të presidentit Hosni Mubarak, me ç’rast palët gjuanin me gurë dhe goditnin me shufra.

Dhuna shpërtheu pas faljes së mesditës, kur mijrëa mbështetës të presidentit Mubarak u tubuan në shesh, duke u konfrontuar me demonstruesit anti-qeveri, të cilët tash nëntë ditë po kërkojnë dorëheqjen e zotit Mubarak.

Demonstruesit anti-qeveri e akuzojnë regjimin e Mubarakut se ka dërguar banda të kriminelëve për t’i shkatërruar protestat. Ata e akuzojnë policinë e ministrisë së brendshme për orkestrimin e dhunës. Si prova kanë treguar letrat identifikuese, që i kishin zënë nga anëtarët e turmës pro-Mubarak, gjatë përleshjeve.

Por minsitria e brendshme i ka hedhur poshtë pretendimet për involvimin e policëve me rroba civile.

Përleshje në Kajro
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00



* * * * *

Protestuesit janë tubuar në sheshin Tahrir në Kajro për të nëntën ditë me radhë, derisa ata po përpiqen t’i bëjnë presion presidentit Mubarak dhe regjimit të tij për të dhënë dorëheqje.

Por, për dallim nga dita e martë, kur në rrugët e Kajros u tubuan më se një milion njerëz, ndërsa qindra-mijëra të tjerë në protestat anti-qeveritare në qytetet e tjera, armata e fuqishme e Egjiptit u ka bërë thirrje protestuesve që të kthehn në shtëpitë e tyre.

Zëdhënësi ushtarak, Ismail Etman, në televizion e paraqiti këtë porosi:

“Mesazhi juaj është marrë dhe kërkesat e juaja janë të njohura. Ne po punojmë intensivisht për ta ruajtur sigurinë e vendit për ju, popullin e Egjiptit. Ne duhet të përgjigjemi ndaj ftesës së vendit tonë me punë të madhe dhe frytdhënëse”.

Televizioni shtetëror po ashtu kishte transmetuar vërejtje për mundësi të dhunës në rrugë, derisa tubimet në mbështetje të Mubarakut po i tërheqin mijëra përkrahës të tij.

Në qytetin tjetër, Aleksandri, mbështetësit e Mubarakut u përleshën me demonstruesit anti-qeveritarë, që po përpiqen të ndërtojnë kampe gjatë natës. Kjo ka ndikuar që ushtria në këtë qytet-port të qëllojë në ajër, në shenjë të vërejtjes.

Por, demonstruesit kundër presidentit Mubarak në Egjipt janë inkurajuar edhe nga lajmet se protesta të ngjashme anti-qeveritare po zhvillohen edhe në disa pjesë të botës arabe dhe se ato po kanë ndikim.

Mijëra demonstrues, të martën vonë, me anë të ekraneve të mëdha televizive në sheshin Tahrir, e ndoqën fjalimin e presidentit Mubarak, në të cilin ai premtoi se nuk do të kandidohet edhe për një mandat tjetër në zgjedhjet e parapara për shtator të këtij viti.

“Përgjegjësia ime e parë tash është që ta kthej sigurinë dhe stabilitetin në vend, për të prodhuar tranzicion paqësor të pushtetit, në një atmosferë që e mbron Egjiptin dhe egjiptianët, duke ia lënë autoritetin kujdoqoftë që zgjidhet nga populli në zgjedhjet e ardhshme presidenciale”.

“E them sinqerisht - pavarësisht nga zhvillimet e tashme - unë nuk kam qëllim të garoj edhe për një mandat tjetër presidencial. Një pjesë të madhe të jetës sime e kam kaluar në shërbim të Egjiptit dhe popullit të tij, por tash jam shumë i përkushtuar, që për të mirën e vendit, ta përfundoj mandatin tim”,
tha presidenti 82-vjeçar.

Por, përgjigjja e turmës në sheshin Tahrir ndaj fjalimit të Mubarakut, ishte brohoritja: “Largohu, largohu”.

Liderët opozitarë menjëherë e kanë hedhur poshtë propozimin e Mubarakut.

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhamed ElBaradei, njëherësh ish-drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, që u kthye në Kajro javën e kaluar, duke u shndërruar në personalitet të unifikimit të opozitës, fjalimin e Mubarakut, e vlerësoi si “mashtrim”.

Ai theksoi se “si gjithnjë, Mubarak nuk e dëgjon popullin e tij”.

Njëherësh, grupi më i madh opozitar, Vëllazëria Myslimane, tha se oferta e Mubarakut për ta kryer mandatin e tij, nuk e plotëson asnjë kërkesë nga populli i Egjiptit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, që foli me telefon me zotin Mubarak pas fjalimit të tij në televizion, tha se Mubaraku “e kupton se status kuoja nuk është e qëndrueshme” dhe se ndryshimi duhet të ndodhë.

Në atë që është parë si tërheqje efektive e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara nga aleati më i afërt në botën arabe, Barak Obama tha se i ka thënë Mubarakut se ndryshimi duhet të fillojë menjëherë në Egjipt.

“Ajo që është e qartë dhe ajo që unë e indikova sonte te presidenti Mubarak, është besimi im se një tranzicion i rregullt duhet të jetë kuptimplotë, duhet të jetë paqësor dhe duhet të fillojë tash”, tha Barak Obama.

Por, në rrugët e Kajros disa demonstrues duket se ishin të kënaqur me ofertën e Mubarakut për ta kryer mandatin e tij të presidentit.

Organizatorët e protestës kanë premtuar se do të vazhdojnë ta okupojnë sheshin Tahrir në Kajro, derisa Mubaraku të tërhiqet. (f.b.)
XS
SM
MD
LG