Ndërlidhjet

Maqedoni: Vazhdojnë tensionet politike


Kuvendi i Maqedonisë

Kuvendi i Maqedonisë

Duke komentuar krizën politike në Maqedoni pas largimit të opozitës nga Kuvendi, analistët politikë thonë se kërkesa e saj për zgjedhje të parakohshme është e palogjikshme, për shkak të rejtingut shumë të vogël të opozitës në karahasim me partitë në pushtet.


Kriza politike në Maqedoni vazhdon të mbetet e tendosur pas largimit të partive opozitare nga Kuvendi, në shenjë pakënaqësie për, siç thonë, hapat e ndërmarrë nga pushteti për mbylljen e mediumeve të pavaruara në vend.

Për uljen e tensioneve janë kyçur edhe diplomatë perëndimorë, të cilët edhe sot kanë zhvilluar takime intensive me krerët e opozitës, nga të cilët është kërkuar rishqyrtimi i vendimit për bojkotin e Kuvendit.

Në këtë drejtim nuk është arritur asgjë konkrete, pasi, si opozita maqedonase, ashtu edhe ajo shqiptare, për gjendjen e krijuar akuzojnë pushtetin, ngase, sipas tyre, ai ka vendosur diktuturën në vend.

Vendimi i opozitës për bojkot dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme po komentohen në mënyra të ndryshme nga analistët në vend.

Jovan Donev, nga Instituti Euro-Ballkan, thotë se bojkoti i opozitës nuk është i logjikshëm, pasi, siç shprehet ai, vendi i saj është në Parlament.

Ai kosndieron se qëllimi kryesor i opozitës është shkaktimi i një krize të thellë politike, pasi opozita, sipas Donevit, është e vetëdijshme se nuk mund të përfitojë asgjë nga zgjedhjet eventuale të parakohshme.

“Konsideroj se nuk ekziston asnjë parti politike në botë që kërkon zgjedhje të parakohshme, kurse, në anën tjetër, gëzon mbështetje shumë më të vogël se partia në pushtet. Në këtë rast, mendoj se bëhet fjalë për skenar”.

“Ata dëshirojnë që me çdo kusht të shkaktojnë krizë serioze politike në Maqedoni. Të bëhet një qeveri e koalicionit të gjerë, e cila do t’i përgatiste zgjedhjet dhe në këtë rast të përfitojnë diçka, që për mua është krejt e palogjikshme”,
thotë Donev.

Edhe analisti politik, Mahi Nesimi, thotë se zgjedhje të parakoshme vështirë se do të ketë, pasi e gjithë kjo varet nga partitë në pushtet, të cilat edhe kanë shumicën parlamentare.

“Siç shihet, ato nuk kanë disponim për zgjedhje të parakohshme. Pra, në formën institucionale është e pamundur të arrihet deri te zgjedhjet e parakohshme”, thotë Nesimi.

Sipas tij, nga situata e krijuar, Maqedonia po pëson edhe në planin ndërkombëtar, pasi me këtë vendi po dëshmon se nuk ka kapacitete demokratike për zgjidhjen e krizave politike.

“Kjo gjithsesi se e ngadalëson, gjegjësisht e vështirëson procesin e integrimit euroatlantik të Maqedonisë”, shprehet Nesimi.

Tensionet politike në Maqedoni u përshkallëzuan pas ndërhyrjes së pushtetit në kompanitë që drejtohen nga afaristi Veli Ramkovski, i cili ka në pronësi Televizionin A1 dhe katër gazeta të përditshme.

Opozita pretendon se ndërhyrja është bërë me qëllim heshtjen e mediumeve që kritikojnë pushtetin, por qeveria mbron qëndrimin se ndërhyrja është bërë për shkak të malverzimeve të shumta financiare që janë bërë në kompanitë e drejtuara nga Ramkovski.
XS
SM
MD
LG