Ndërlidhjet

Koalicion me kushte


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se nuk do të hyjë në koalicion me PDK-në, nëse kryeministër do të ishte Hashim Thaçi, kurse Koalicioni për Kosovën e Re kërkon postin e presidentit të Kosovës për zotin Behxhet Pacolli, nëse PDK-ja dëshiron të lidhë koalicion me këtë subjekt politik.



Janë dy subjekte politike në Parlamentin e ri të Kosovës, me të cilat partia fituese e zgjedhjeve mund të llogarisë të zhvillojë negociata për formimin e qeverisë së re.

Përveç pakicave si kategori kushtetuese në qeveri, Partia Demokratike e Kosovës mund të llogarisë të nisë negociata edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Koalicionin për Kosovën e Re.

Të dyja këto subjekte politike shprehen të gatshme të negociojnë me partinë fituese të zgjedhjeve. Por, ato i kanë edhe kushtet e veta, të cilat, në fakt, mund ta vënë në pikëpyetje arritjen e ndonjë marrëveshjeje për koalicion.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila në parlament do të përfaqësohet me 12 deputetë, do t’i përgjigjej pozitivisht ftesës eventuale të PDK-së për të negociuar në lidhje me qeverinë e ardhshme.

Por, kushtet e AAK-së për koalicion me PDK-në prekin vetë liderin e saj, Hashim Thaçin, si personalitetin e padëshiruar në qeverinë e re.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi, thotë se është jo vetëm në interesin e AAK-së, por në interesin e Kosovës që qeveria të mos udhëhiqet më nga Hashim Thaçi, i cili, sipas tij, ka koncepte të gabuara qeverisëse.

“Është një qëndrim i qartë i AAK-së se nuk do të hyjë në qeverisje me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe strukturat që ka kjo parti. Ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Rrethanat po tregojnë se nuk ka progres në Kosovë, përderisa të jetë Hashim Thaçi kryeministër”, thotë Arifi.

Deri më sot, nënvizon Arifi, PDK-ja nuk i ka ofruar AAK-së asnjë ofertë për koalicion. Nëse një ftesë eventuale do t’i procedohet AAK-së, atëherë vendimin për negociata dhe pozicionin e AAK-së në qeveri do ta marrin organet e partisë, thotë Arifi.

Megjithatë, ai e përjashton mundësinë që AAK-ja thjesht vetëm t’i zëvendësojë mandatet e LDK-së nga qeveria e kaluar.

“Mund të them me siguri të plotë se në asnjë variant AAK-ja nuk do të luajë rolin e zëvendësimit të pozicioneve që ka pasur LDK-ja në qeverinë e kaluar. Qeveria e kaluar ka pasur tërësisht koncept korruptimi dhe koncept të një papërgjegjshmërie të plotë qytetare. Nuk do ta kryejmë atë rol, i cili për momentin është vakuum”, thekson Arifi.

Kushtet e veta për koalicion me PDK-në i ka edhe Koalicioni për Kosovën e Re me 8 deputetë dhe që udhëhiqet nga Behxhet Pacolli.

Nënkryetarja e AKR-së dhe deputetja e këtij koalicioni, Mimoza Kusari Lila, thotë se kushtet ndërlidhen me hapësirat e zbatimit të programit ekonomik të kësaj partie dhe, para së gjithash, me pozitën e presidentit të Kosovës, i cili, sipas saj, në rast koalicioni do t’i takonte Behxhet Pacollit.

“Ne kemi deklaruar se duhet të marrim postin e presidentit të Kosovës, për arsye se ofron hapësirën e veprimit, e cila mund të realizohet përmes prijësit të Koalicionit për Kosovën e Re, zotit Behxhet Pacolli”.

“Në të njëjtën kohë, të rëndësishme janë edhe dikasteret, përmes të cilave mund të zbatojmë programin tonë dhe bartësit e funksioneve ekzekutive, që janë njerëz profesionistë, politikisht të pjekur dhe etnikisht të pastër”,
thotë Kusari Lila.

Zyrtarë të PDK-së nuk i kanë komentuar qëndrimet dhe parakushtet e partive tjera politike në lidhje me negociatat dhe koalicionin e ardhshëm.

Lidershipi i saj ka premtuar se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do ta formojë qeverinë e re në një afat rekord. PDK-ja ka fituar 34 vende në Parlament, kurse llogarit edhe në afërsisht 20 vota të pakicave. Por, asaj do t’i duhet edhe një partner tjetër në koalicion që ta kalojë pragun minimal prej 61 votave në Parlament, për ta formuar qeverinë e re.

Ndërsa mbetet e paqartë çështja e koalicionit qeverisës, dy subjektet tjera, LDK-ja dhe Vetëvendosje, publikisht janë deklaruar se do të mbeten në opozitë.
XS
SM
MD
LG