Ndërlidhjet

Sovraniteti i lënduar


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Në vitin e tretë si e pavarur, Kosova mbetet një shtet me sovranitet të cenuar. Heshtja ndaj pranisë ilegale të strukturave paralele serbe dhe ndaj pamundësisë për kontrollin e veriut, sipas analistëve, Kosovës do t’i kushtojë shumë në negociatat e ardhshme me Serbinë.

Analisti i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Naim Rashiti, fajëson komunitetin ndërkombëtar për gjendjen në veri.

Ai thotë se së pari ishte OKB-ja që nuk e administroi si duhet vendin, e më pas ndasitë në BE rreth pavarësisë së Kosovës, të cilat bëjnë që veriu të mbetet edhe më tej në kornizë të Rezolutës 1244. Rashiti alarmon se BE-ja nuk është e interesuar që veriun ta integrojë.

“BE-ja dhe Brukseli nuk do të jenë në gjendje që të bëjnë diçka më shumë, substanciale, për futjen e pjesës veriore nën ombrellën kushtetuese. Veriu legalisht është ende pjesë e Kosovës, por administrativisht nuk është i menaxhuar nga Prishtina. BE-ja do t’ua lërë negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit që të zgjidhet kjo çështje”, thotë Rashiti.

Ndërsa Grupi Ndërkombëtar i Krizave hedh kritika të ashpra mbi komunitetin ndërkombëtar për gjendjen në veri, Klubi për Politikë të Jashtme kritikon politikën kosovare për një apati karshi këtij problemi.

Drejtori i këtij klubi, Ylli Hoxha, thotë se Kosova po rrezikon të mësohet me konfliktin e ngrirë në veri, ndërsa institucionet, sipas tij, po tolerojnë praninë ilegale të strukturave paralele serbe.

“Ka qenë një paaftësi e institucioneve tona, që në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare të imponojnë rend dhe ligj në atë pjesë. Në këtë drejtim, përgjegjësia, sa i përket palës kosovare, duhet t’iu bie udhëheqësve të institucioneve të Kosovës. Ne nuk mund të kërkojmë përgjegjësi nga kryeministrat e vendeve tjera”, thotë Hoxha.

Në pikën 2 të nenit 2 të Kushtetutës thuhet se sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe se mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj.

Por, kush duhet të japë përgjegjësi në rast se nuk mbrohet ky sovranitet?

Naim Rashiti, nga GNK-ja, nuk mendon se duhet fajësuar Prishtinën.

“Më së paku ndoshta Prishtina ka faj. Ky është kryesisht dështim i faktorit ndërkombëtar, përgjegjësinë për të cilën e ka marrë shumë herë e nuk e ka implementuar. Por, faktori ndërkombëtar nuk administron tash me Kosovën dhe përgjegjësia për ta zgjidhur do të mbetet mbi Prishtinën”.

“Ajo që mund të bëjë faktori ndërkombëtar, është që të bëjë trysni më të madhe mbi Beogradin, që ai të jetë më konstruktiv. Siç dihet, agjendë e vetme e Beogradit sa i përket veriut, është ndarja. Por, është mirë që në mesin e faktorit ndërkombëtar, ndarja nuk gjen simpati”,
thekson Rashiti.

Ditë më parë, Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë ku heq dyshimet për tërësinë territoriale dhe sovranitetin e Kosovës. Por, analistët thonë se sovraniteti i Kosovës vazhdon të mbetet vetëm në letër.

Ylli Hoxha ua tërheq vërejtjen institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të ndërmarrin një sërë masash në veri, para se të nisin bisedimet me Serbinë.

Pikësëpari, vendosja e pikave të kontrollit në pikat kufitare do të ishte një shenjë e domosdoshme para se të mendohej për t’u futur në çfarëdo bisedimesh për këtë çështje. Pra, seria e masave që garanton praninë e shtetit të Kosovës në veri, duhet të jetë parakusht”.

“Këto gjëra do të duhej të ndodhnin shumë më herët, sepse janë obligime të marra nga bashkësia ndërkombëtare në projektin e pavarësimit të Kosovës - projektin Ahtisari
”, shprehet Hoxha.

Institucionet kosovare vazhdimisht kanë hedhur poshtë idenë e ndarjes së veriut dhe kanë kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë presion mbi Beogradin.

Sidoqoftë, të gjitha planet që nga paslufta për integrimin e veriut, deri tash kanë mbetur vetëm në letër.
XS
SM
MD
LG