Ndërlidhjet

Vlastimir Gjorgjeviq do t'a mësojë fatin e tij në 23 shkurt



Tribunali i Hagës për Krime Lufte në ish Jugosllavi njoftoi se më 23 shkurt do ta marrë vendimin për gjeneralin e policisë serbe, Vlastimir Gjorgjeviq, për rolin e tij në "spastrimin etnik" të shqiptarëve në Kosovë.

Pas gjykimit që zgjati më shumë se dy vjet, gjatë të cilit u paraqitën 105 dëshmitarë të prokurorisë dhe u prezantuan më shumë se 2.500 dëshmi, Gjorgjeviq do ta mësojë fatin e tij për krimet që pretendohet se janë kryer në periudhën janar-qershor, 1999.

62 vjeçari Gjorgjeviq u gjykua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit për vrasjen e qindra shqiptarëve dhe dëbimin e 800 mijë të tjerëve nga Kosova.

Prokurori i tribunalit, Çester Stamp, e akuzoi Gjorgjeviqin për pjesëmarrje në fushatën për "spastrim etnik".

Gjorgjeviq u arrestua në Mal të Zi në qershor, 2007.

Ai u deklarua i pafajshëm në vitin 2009 dhe i tha gjykatës se operacionet që i mbikqyrte nuk ishin drejtuar kundër civilëve por kundër "terroristëve" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në korrik, 2010, prokurorët i kërkuan gjykatës që ta dënojë me 35 vjet burg.
XS
SM
MD
LG