Ndërlidhjet

logo-print

120 milionë dollarë për opozitën në Bellorusi



Lëvizjet e opozitës në Bellorusi kanë marrë sot zotime për ndihma në vlerë prej 120 milionë dollarë nga 36 vendet donatore në Konferencën në Varshavë.

Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslav Sikorski e bëri shpalljen në mbyllje të tubimit, i cili pasoi shtypjen e opozitës pas protestave kundër rizgjedhjes së presidentit Aleksandr Lukashenko në 19 dhjetor.

Duke iu referuar presidentit të përmbysur të Tunizisë dhe liderit të Egjiptit, Sikorski tha se "ndoshta shembuj e z. Ben Ali, z. Mubarak dhe të tjerëve, do t'a bëjnë presidentin Lukashenko të reflektojë se rruga që e ka zgjedhur nuk është më e mira për të".

Komisioni Evropian shpalli se do t'a rritë nga 4 milionë në 15,6 milionë euro ndihmën për shoqërinë civile në Bellorusi, që t'i mbështesë të drejtat e njeriut dhe demokracinë atje.

Në fillim të javës, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja kundër Lukashenkos dhe mbi 150 zyrtarëve bellorusë.
XS
SM
MD
LG